Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Në Ksamil s’mund të ketë çmime marramendëse pa shërbim cilësor

Rama: Në Ksamil s’mund të ketë çmime

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se administrimi i plazheve duhet të bëhet në funksion të qytetarëve dhe jo të subjekteve private që abuzojnë me çmimet dhe shërbimet, duke përmendur si shembull pozitiv praktikat e ndjekura nga bashkia e Himarës dhe ajo e Lezhës.

“Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë për subjekte që vijnë nga zona të tjera për të vendosur çadra, shezllonge apo beach bare që çmendin dynjanë me muzikë dhe hedhin ujërat e zeza në det. Bashkia e Himarës ka treguar se si një plazh mund të administrohet thjesht dhe pastër, me çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë, pa salltanete dhe pa stres,” tha Rama.

Sipas tij, plazhet e mëdha si ato të Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës nuk mund të administrohen 100% nga bashkitë, por ato duhet të garantojnë standarde dhe shërbime cilësore në përputhje me çmimet që vendosen.

“Nuk mund të vendosësh çmime marramendëse për një shezlong thjesht se je në Ksamil, kur vetë nuk ke asnjë kontribut për ngjyrën e detit apo bukurinë që të rrethon. Nëse vendos çmim, duhet të ofrosh cilësi që përputhet me atë çmim, jo shezllonge me gozhda të ndryshkura,” u shpreh Rama.

Ai vlerësoi gjithashtu shembullin e Lezhës, ku sipas tij u garantua pastërti falë ndërhyrjes së bashkisë dhe mbështetjes së qeverisë përmes operacionit “Plazhe të pastra”.

Kryeministri theksoi se përvoja e këtij sezoni veror ka treguar se ridimensionimi i plazheve publike është i mundur, duke paralajmëruar se strategjia dhe plani për administrimin e tyre do të rishikohen me fokus tek qytetarët dhe jo tek abuzuesit e hapësirave bregdetare./l.f-dritare.net