

Dy vajzat tona në botë! Rudina Xhunga e nisi sezonin e Dritare në Youtube 2025, me një tregim për dy vajzat tona në botë, siç i quajti ajo dy shkrimtaret shqiptare që sfiduan murin e lokales dhe u bënë globale duke treguar Shqipërinë.
Rudina Xhunga e nisi tregimin me librin e Lea Ypit që doli sot nga botimi. “Të poshtëruarit” nga Lea Ypi ka shumë pritshmëri në botën kulturore e letrare, për shkak të librit të parë dhe vetë portretit që ka krijuar Lea Ypi në botë, duke u bërë një personazh me ndikim në letërsinë e mendimin bashkëkohor ndërkombëtar. Lea Ypi tashmë ka fituar një vend të rëndësishëm në panteonin e shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë anglisht, duke ruajtur identitetin e saj shqiptar. Është një vajzë që na bën krenare, sepse ka arritur të depërtojë në një hapësirë ku zakonisht dominojnë burrat dhe të huajt dhe kjo e bën suksesin e saj edhe më të veçantë. Libri i saj, “Të poshtëruarit”, është botuar njëkohësisht në disa gjuhë dhe ka marrë vëmendje të madhe nga mediat dhe kritikët letrarë në mbarë botën.
Unë e mora sot librin e botuar në Shqipëri nga Arlinda Dudaj dhe dua ta përgëzoj Arlindën për punën e jashtëzakonshme që ka bërë duke sjellë Lean dhe Ledian në një ditë, në shqip. Libri i Lea Ypit sjell një histori personale e filozofike, duke përfshirë edhe familjen e saj. Në një foto të vitit 1921 që ajo ndan në rrjetet sociale, shfaqet gjyshja e saj. Në libër, Lea nuk flet vetëm për gjyshen, por edhe për të kaluarën, kujtimet dhe përvojat që e formuan si person dhe si mendimtare.
Ky është një libër i mendjes së lirë dhe i studimit të thellë. Është pritur me entuziazëm nga lexuesit dhe kritika, dhe është një dëshmi se shkrimtarët shqiptarë mund të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. Për mua, si lexuese dhe si dikush që ndjek dhe e do letërsinë, është një përjetim i bukur dhe emocionues. Mezi po pres ta lexoj.
Ndërkohë librin tjetër e kam lexuar, “Keqinterpretimi” i Ledia Xhogës. Një roman fantastik, që më tërhoqi menjëherë. I shkruar anglisht dhe ai. Përkthyer në shqip dhe botuar nga Dudaj.
Po sjell te plote cfare shkrova ne insta per librin, sapo e lexova:
Ledia më la pa gjumë. Sepse e pashe, nuk thjesht e lexova. Ishte si të kishe lënë një dritare hapur dhe të dëgjoje zëra nga oborri. Zëra nga e shkuara, një vogëlushe që bërtet se i kapi nervin dentistja në shkollë. Oh çfarë ulërime. Aroma avllish, ere boje pallatesh që lyhen, sikur një psikiatër i thotë dikujt me depresion: Buzëqesh. Në fillim buzëqesh me zor.
Zëra të panjohur të një bote tjetër plot klube leximi, portierë dere, përpjekjesh për të mbajtur shtëpinë, kur nuk paguan dot mirëmbajtjen, gruan, kur nuk e do më, qëndrimin në Amerikë dhe përpjekjen e përpjekjeve ta shpjegosh këtë. Për shembull: si t’ia shpjegosh një artisteje amerikane të pasur pse ke ardhur me lotari në Amerikë dhe nuk ke shkuar në Pragë që është kaq e bukur.
Ledia pa poza, pa shtirje, pa zhurmë bëhet narratori i zërave, ku si një remix i mirë, ti arrin ta dëgjosh zërin në sfond që është zëri edhe imi, i shtëpisë, i Shqipërisë. Por një zë që nuk gërric, që nuk është toksik, që nuk ankohet, që nuk përkëdhelet, viktimizohet, lutet, lyp vëmendje. Zëri kryesor që dëgjon si valë deti në sfond është zëri i saj që thjesht tregon.
Ledia Xhoga me këtë libër tashmë është përkthyer në disa gjuhë dhe ka hyrë në listën e librave që konkurrojnë për Booker Prize 2025. Një sukses i madh për letërsinë shqiptare, por edhe një motiv për të rinjtë që duan të shkruajnë dhe të bëhen pjesë e skenës botërore. Po ata munden.
Këta dy libra i Lea Ypit dhe i Ledia Xhoga, janë shembuj të shkëlqyer të letërsisë shqiptare që depërton në botën ndërkombëtare. Ata na bëjnë krenarë dhe na tregojnë se talenti shqiptar mund të njohë sukses global. Ndaj le t’i lexojmë, t’i shijojmë dhe t’i promovojmë.” - u shpreh Rudina Xhunga në tregimin e Ditës në DritareTV/dritare.net

















