Ministri Gonxhja takohet me zëvendëspresidentin e Lufthansa Group në Berlin, në fokus turizmi
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi në Berlin, në selinë e Lufthansa Group, një takim me Dr. Kay Lindemann, zëvendëspresident i Grupit dhe Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Korporatave dhe Çështjeve Qeveritare.
Gjatë takimit, u diskutua rritja e numrit të turistëve në destinacionet shqiptare, shtimi i fluturimeve dhe mundësitë e zgjerimit të ndërlidhjes ajrore me Gjermaninë. Fokus i veçantë ishte rritja e prezencës së Lufthansa-s në Shqipëri, në kuadër të vizionit për një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm.
Ministri Gonxhja theksoi rëndësinë e hapjes së aeroportit të ri të Vlorës për zhvillimin e vijës bregdetare joniane, ndërsa Dr. Lindemann vlerësoi Shqipërinë si një destinacion të qëndrueshëm dhe të besueshëm, duke shfaqur interes të lartë për linjën Frankfurt–Tiranë.
Ky takim rikonfirmon angazhimin e të dyja palëve për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në hartën ajrore evropiane, në dobi të turizmit shqiptar./dritare.net