
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Riad, Arabinë Saudite, është goditur nga dy dronë iranianë, sipas burimeve zyrtare saudite. Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite konfirmoi sulmin, duke bërë të ditur se nga goditja janë shkaktuar dëme materiale të kufizuara dhe një zjarr i vogël brenda kompleksit diplomatik, ndërsa nuk është raportuar për persona të lënduar. Autoritetet saudite thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore reaguan menjëherë dhe situata është vënë nën kontroll.
Sulmi ndodhi në zonën diplomatike të Riadit, ku ndodhet ambasada e SHBA-së dhe misione të tjera të huaja. Ambasada amerikane lëshoi një njoftim urgjent për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar të strehohen në vend, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë. Të gjitha shërbimet konsullore janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën e dronëve dhe rrethanat e plota të sulmit. Zyrtarët amerikanë dhe sauditë kanë theksuar se siguria e personelit diplomatik mbetet prioritet absolut dhe se do të merren masa shtesë për mbrojtjen e objekteve diplomatike në vend./K.C/dritare.net