Që nga pandemia s’është parë kaos i tillë. Konflikti me Iranin mbyll aeroportet e Gjirit Persik
Dritare.net

Nga AFP
Ndërprerja më e madhe e transportit ajror global që nga pandemia Covid-19 vazhdoi për të dytën ditë radhazi, ndërsa mijëra fluturime u anuluan dhe u mbyllën qendrat kryesore të tranzitit në Gjirin Persik, përfshirë Dubain dhe Dohën, teksa Irani ndërmori sulme hakmarrëse pas goditjeve amerikano-izraelite.
Pasagjerë në të gjithë botën mbetën të bllokuar, ndërsa linjat ajrore u përpoqën të ridrejtonin fluturimet për të shmangur Lindjen e Mesme, ku shumica e vendeve mbyllën hapësirën ajrore pasi Teherani nisi kundërpërgjigjen me raketa ndaj qyteteve të pasura të Gjirit.
Irani goditi edhe Dubai International Airport, aeroportin më të ngarkuar në botë për trafikun ndërkombëtar, si dhe aeroportin kryesor të Kuvajtit.
Irani, Iraku, Izraeli, Siria, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan mbyllje të pjesshme ose të plota të hapësirës së tyre ajrore.
“Nuk kemi parë një krizë të kësaj përmase që nga pandemia,” tha për AFP Didier Brechemier, ekspert në kompaninë konsulente Roland Berger. Ai theksoi se edhe pushtimi rus i Ukrainës nuk i kishte prekur qendrat kryesore ajrore të Lindjes së Mesme, përmes të cilave kalojnë zakonisht udhëtarët drejt Azisë.
Sipas Cirium, më shumë se 1,500 fluturime drejt Lindjes së Mesme u anuluan vetëm të dielën, mbi 40 për qind e trafikut të planifikuar.
Ndërkohë, platforma e monitorimit FlightAware raportoi mbi 2,700 fluturime të anuluara globalisht dhe më shumë se 12,300 të vonuara deri në pasditen e së dielës.
Ekspertët paralajmërojnë se humbjet për industrinë e aviacionit tashmë po llogariten në qindra miliona euro.
Nga paniku te pasiguria
Për disa pasagjerë, situata ka qenë shumë më tepër sesa një vonesë e bezdisshme. Reperja italiane BigMama rrëfeu se fluturimi i saj nga Malé në Maldive u ridrejtua drejt një zone pranë Dubait, një nga qytetet e goditura nga sulmet iraniane.
“Po dëgjojmë raketa mbi kokat tona. Jam e tmerruar,” shkroi ajo në rrjetet sociale, duke shtuar më vonë: “Nuk kemi fjetur fare. Ende nuk kemi asnjë informacion. Thjesht duam të kthehemi në shtëpi.”
Në Johanesburg, një pasagjer i bllokuar pasi fluturimi i tij me Emiratet drejt Londrës u anulua, shkroi me humor: “Nëse menaxheri im po më ndjek, do të kthehem në punë në fund të javës, shpresoj.”
Të tjerë përballen me pasiguri të plotë. “Nuk e di ku do të fle sonte,” tha një udhëtar në Kejptaun që përpiqej të kthehej në Gjermani. “E gjithë bota është e ndërlidhur. Diçka që ndodh 10 mijë kilometra larg ndikon edhe këtu.”
“Ura ajrore” dhe goditje për imazhin e Gjirit
Disa vende, përfshirë Francën dhe Tajlandën, po shqyrtojnë evakuimin e qytetarëve të tyre nga rajoni. Operatorët turistikë francezë thanë se po përpiqen të krijojnë “ura ajrore” përmes qendrave alternative si Stambolli. Sipas analistëve, kriza po godet edhe imazhin e sigurisë që monarkitë e Gjirit kanë promovuar prej vitesh.
“Dubai shpesh përmendej si një lloj Zvicre e Lindjes së Mesme. Kjo padyshim e dëmton atë perceptim,” u shpreh një ekspert i turizmit.
Shpërthime u raportuan në ishullin artificial Palm Jumeirah, ndërsa mbetje dronësh shkaktuan zjarr në hotelin luksoz Burj Al Arab.
Një turiste franceze që qëndronte në një hotel në Palm tha se pa “një top zjarri” në qiell dhe mori mesazh alarmi në telefon për t’u strehuar. “Na çuan në nivelin më të ulët të hotelit. Të dielën ishim të izoluar brenda,” rrëfeu ajo, duke shtuar se nga dritarja mund të shihte re të mëdha tymi të zi mbi zonën e portit./K.C/dritare.net