PD dorëzon raportin në Kuvend, SPAK kërkon arrestimin e Ballukut: Heqja e imunitetit urgjente
Dritare.net

Partia Demokratike dorëzoi sot në Kuvend raportin e pesë anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, duke kërkuar heqjen e imunitetit për Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se demokratët mbështesin plotësisht kërkesën e SPAK: “Jemi pro drejtësisë dhe pro kërkesës së SPAK”, duke theksuar argumentet ligjore dhe faktike që justifikojnë heqjen e imunitetit.
Sipas Bardhit, SPAK ka depozituar në Kuvend rreth 80 prova që lidhen me akuzat ndaj Ballukut. Prokuroria pretendon se ajo ka paracaktuar garën për 11 procedura publike, ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit shqiptar dhe rrezikon deri në 35 vite burg.
"Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj. Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal. Në rastin në shqyrtim Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi, sepse nuk është kompetencë e tij caktimi i masës së sigurimit. Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit. Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit, dhe shndërrimin e Kuvendit në bunker qytetarët do ta trajtojnë kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do duhet të shembet.", tha Bardhi./K.C/dritare.net