
Më 11 shtator do të rrëzohen kullat e pushtetit." Kështu tha gazetari Flogert Muça në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, duke paralajmëruar ndryshime rrënjësore me shpalljen e qeverisë së re Rama 4 më 11 shtator.
Muça ngriti pyetje mbi mënyrën se si kryeministri Edi Rama do ta menaxhojë pushtetin:
“Mendoj që më 11 shtator do të rrëzohen kullat e pushtetit. Jo se do rrëzohen nga një armik, por sepse i rrëzon vetë sistemi i ngritur. A do ta shpërndajë pushtetin, duke mos e centralizuar tek disa individë, por duke bërë lëvizje të qëllimshme për të ndërtuar një shtet më efikas? Unë mendoj që po”, tha Muça.
Muça theksoi se Rama herë pas here bën lëvizje që e karakterizojnë si djathtiste, duke ndërtuar një shtet më të vogël, ndryshe nga e majta që kërkon një shtet më të madh. “Qeveria e vogël e Ramës bën që të kemi ministri me 5 ministri brenda, si ajo e zotit Blendi Gonxhja, e zonjës Balluku, e ministres Kumbaro,” shtoi ai.
Sipas Muçës, nëse kryeministri, që ka marrë 83 mandate, dëshiron që njerëzit të jenë më pak të përqendruar pas pushtetit dhe më shumë pas punës, atëherë duhet ta decentralizojë atë. “Kur kam një superministri, kjo më shtyn në gabime, sepse pushteti i madh të merr me vetë dhe shpesh të çon mbrapsht,” u shpreh ai.
Muça parashikon një shkurtim të ministrive dhe një rikthim në modelin e vitit 2019, kur qeveria kishte 13 ministra me portofol dhe 6 pa portofol. Ai gjithashtu parashikon një ndryshim të strukturës: “Mund të kemi një ministri të posaçme për menaxhimin e territorit dhe planifikimit urban. Nga informacioni që kam, numri i ministrive do të rritet dhe do të ketë një riorganizim të të gjitha pushteteve brenda ministrive.”/K.C/dritare.net

















