
Mikrofoni tradhton dy liderët. Çfarë po diskutonin Xi dhe Putin që tani po bëjnë xhiron e botës!
Dritare.net
Një bisedë e papritur mes presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij rus Vladimir Putin është kapur “live” nga mikrofonët në një paradë ushtarake në Pekin, duke bërë xhiron e mediave ndërkombëtare.
Dy liderët, të cilët prej vitesh qëndrojnë në pushtet pa dhënë shenja të tërheqjes, u dëgjuan të flasin për transplantet e organeve dhe mundësinë që shkenca të zgjatë jetën e njeriut deri në 150 vjet, madje edhe drejt pavdekësisë.
Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror kinez, Xi, Putin dhe lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un po ectonin krah për krah në sheshin historik Tiananmen, kur biseda private u kap nga mikrofonët.
Sipas përkthimit të bërë publik nga BBC, Xi u dëgjua të thoshte:
“Dikur ishte e rrallë që dikush të jetonte mbi 70 vjeç, ndërsa sot thuhet se në atë moshë njeriu është ende fëmijë”.
Putin më pas shtoi përmes përkthyesit të tij:
“Me zhvillimin e bioteknologjisë, organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht, njerëzit mund të jetojnë gjithnjë e më të rinj, madje të arrijnë pavdekësinë”.
Ndërsa përkthyesi i Xi-së shtoi:
“Parashikimet janë që, këtë shekull, ekziston mundësia të jetojmë deri në 150 vjet”.
Putin më pas e përsëriti idenë edhe për mediat ruse, duke thënë se metodat moderne të mjekësisë dhe kirurgjisë japin shpresë për jetë më të gjatë aktive.
Parada në Pekin shërbeu gjithashtu si një shfaqje force nga Kina, e cila prezantoi armë të avancuara, përfshirë raketa bërthamore me rreze globale. Prania e tre liderëve – Xi, Putin dhe Kim – shihet nga analistët si një mesazh sfidues ndaj Perëndimit.
Në krah të tyre ishin edhe liderë të vendeve si Irani, Pakistani, Vietnami dhe Zimbabve.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë duke akuzuar Xi se po “konspiron kundër SHBA-së” së bashku me Putinin dhe Kimin./K.C/dritare.net

















