
Ministrja Kumbaro: Vitin tjetër edhe më shumë plazhe publike, ja prioritetet për Shqipërinë Turistike!
Dritare.net
U mbajt takimi për analizën e sezonin turistik veror 2025 dhe për të prezantuar prioritetet e reja drejt vizionit të Shqipërisë Turistike 2030. Ministrja Kumbaro, gjatë këtij takimi me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku si dhe Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, bëri një bilanc të shifrave të flukseve, të të ardhurave në ekonomi, standardizimeve dhe prezantoi projektet e nisura dhe ato të reja lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
“Në muajin gusht, Shqipëria ka pritur 2,38 milionë vizitorë, 200 mijë më shumë ose 10% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar. Ndërsa për periudhën janar – gusht 2025, kemi mirëpritur gati 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024 . Janë flukse që tregojnë konsolidim të tregjeve tradicionale, përfshirë edhe vizitorët nga Kosova, që përkundër debateve shterpë të verës, vijojnë të jenë besnikë gjithëvjetorë të turizmit shqiptar, edhe gushti tregoi një rritje të lehtë krahasuar edhe me vitin 2024 apo tregje të tjera si Italia, që është kthyer në tregun e dytë më të madh të vizitorëve në Shqipëri. Teksa rritemi ndjeshëm në tregje të reja, që s’kanë qenë tradicionale për turizmin shqiptar, siç janë Gjermania me një rritje gati 21%, Franca, me 44%, Holanda që vijon të rritet nga viti në vit, Anglia, Belgjika, Shtetet e Bashkuara e deri në tregjet aziatike, si Kina me 28% më shumë se viti i kaluar”, u shpreh ministrja.
Më tej, gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro u ndal tek impakti ekonomik që ka pasur turizmi në vend, duke theksuar se Shqipëria ka zgjedhur të jetë larg masivitietit dhe të konsolidojnë një ofertë të qëndrueshme të turizmit, ku nuk mund të jenë shezlongët tregues që ushqen ekonominë e gjeneruar nga turizmi.
“1,8 miliardë euro i vinin ekonomisë shqiptare në vitin 2021 nga turizmi ndërkohë që 5 miliardë euro ishin të ardhurat në vitin 2024. E për t’u rikthyer sërish te sezoni 2025,- kuptohet shumë qartë vlera që vijon të sjellë turizmi në zinxhirin ekonomik:
Për periudhën janar – korrik 2025, krahasuar me një vit më parë kemi:12% më shumë vlerë faturimi në sektorin e restoranteve, 15% më shumë vlerë faturimi në hotele dhe struktura akomoduese dhe 14% më shumë vlerë faturimi në biznese të tjera të lidhura me turizmin ku përfshihen të gjitha llojet e tjera të aktiviteteve që nga plazhet, zbavitjet, makinat me qira, turizmi natyror etj”, theksoi ministrja Kumbaro.
Ministrja theksoi gjithashtu se përtej sfidave me pastërtinë dhe përbjalljes me biznesete zaptuesit, vitin tjetër do të shtohen akoma më shumë parcelat publike të plazheve:
“Nuk ka qenë e lehtë sfida e përballjes me bizneset, me zaptuesit e hapësirave publike të plazheve, për të gjetur ekuilibrat e duhur mes zhvillimit të sektorit privat të shërbimeve dhe të drejtës për plazh publik, por ia kemi dalë dhe ia ka vlejtur, sepse ka prodhuar pushues të kënaqur dhe kjo është ajo çka ka më shumë rëndësi në fund të ditës prandaj për organizimin e sezonit të ardhshëm veror do të kemi sërish rritje të sipërfaqeve të plazheve publike”
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe projektet e mandatit të katërt të qeverisjes të mbështetura në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit 2025-2030 siç është projekti i përbashkët me Organizatën Botërore të Turizmit për të sjellë Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe të Mikpritjes si një bashkëpunim i Qeverisë Shqiptare dhe UN Tourism në Tiranë, Teknologjinë dhe Informacionin, Platformën e Integruar Digjitale të Turizmit, Regjistrin Kombëtar Digjital të Turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike, Platformën Digjitale e-Visitor për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të vizitorëve në strukturat akomoduese dhe cdo aktivtiet tjetër te sektorit dhe një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit përmes “Sistemit Elektronik të të Dhënave në Turizëm."
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sot të publikuar në regjistrin kombëtar të turizmit 972 guida turistike të certifikuara dhe 239 operatorë të turizmit detar të certifikuar. Gjithashtu, rritja e parcelave të plazheve publike në 1711 të tilla, ka qenë një sfidë më e lartë e pastrimit për bashkitë dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që ka asistuar bashkitë bregdetare në pastrimin e plazheve, ku nga ky operacion shtesë janë mbledhur 176 ton mbetje në territor./dritare.net

















