Na ndiqni edhe në

Editorial

Aleanca Putin - Xi, sa trembet perëndimi!

Aleanca Putin - Xi, sa trembet perëndimi!

Komenti i Ditës nga Dritan Hila në DritareTV

Nuk është në traditën e Republikës Popullore të Kinës të bëjë parada të zhurmshme për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Por këtë herë ishte ndryshe.

Kemi parë në YouTube shumë parada të Ushtrisë Popullore Kineze, të cilat, për nga koreografia, janë të pakrahasueshme dhe nga mënyra e shtrirjes së rreshtave janë të jashtëzakonshme, por asnjëherë nuk kanë pasur një konotacion të drejtpërdrejtë simbolik dhe global siç e bëjnë rusët çdo vit në paradën e 9 majit për Ditën e Fitores mbi fashizmin.

Këtë herë, kinezët organizuan një paradë që shënonte përvjetorin e fitores mbi Japoninë, ose fundin e pushtimit japonez. Ishte një ngjarje me karakter përkujtimor, por me një koreografi shumë të strukturuar duke filluar nga skenografia e deri tek llojet e armatimit.
Së pari, Xi Jinping ishte i veshur me kostumin tradicional të udhëheqësve kinezë të periudhës postrevolucionare: një xhaketë e mbyllur, me ngjyra neutrale, gri ose jeshile, e thjeshtë. Është uniforma tradicionale e politbyrosë kineze, e imponuar nga Mao Zedong. Kujtojmë se të gjithë udhëheqësit kinezë me këtë veshje, si Mao Zedong, Deng Xiaoping e të tjerë, e kanë mbajtur këtë stil, ndërsa brezi i ri, i përbërë kryesisht nga teknokratë, zakonisht vishet me kostume në stil perëndimor.

Në këtë paradë, Xi Jinping ishte i veshur me kostum tipik postrevolucionar. Pranë tij ishin Vladimir Putinit dhe Kim Jong-un, përfaqësues të Rusisë dhe të Republikës Popullore të Koresë së Veriut. Këta dy udhëheqës ishin të vendosur në anët e majtë dhe të djathtë të podiumit. Duhet thënë se Kina, për fitoren mbi Japoninë, i dedikon nderime edhe Ushtrisë Sovjetike, e cila ka pasur një rol vendimtar në Mançuri duke thyer ushtrinë japoneze, dhe kjo kontribuoi në kapitullimin e Japonisë. Më vonë, kjo ndikoi në luftën civile që pasoi dhe ngjarjet që çuan në ndarjen e Kinës dhe krijimin e konfliktit me Tajvanin, që vazhdon edhe sot.

Nga ana tjetër, Kim Jong-un përfaqëson Korenë e Veriut, një aleat historik i Kinës. Kina ka pasur një rol kyç në Luftën e Dy Koreve, ku rreth një milion ushtarë kinezë kontribuan në ndryshimin e fatit të luftës, duke vendosur vijën ndarëse në paralelin e 38-të, e cila ekziston ende sot. Këta udhëheqës kanë një marrëdhënie historike dhe një aleancë të fortë, por raporti tashmë nuk është më paritar si më parë, sepse fuqia ekonomike dhe ushtarake e Kinës e ka tejkaluar ndjeshëm ndikimin e Rusisë.

Qëllimi i Xi Jinping ishte të tregonte fuqinë e Kinës si një pol i ri global, duke tërhequr vëmendjen e Perëndimit dhe duke theksuar rëndësinë e Kinës për vendet e jugut politik, vendet e Afrikës, vendet e varfra dhe ish-bota e tretë, të cilat tashmë po bien gjithnjë e më shumë në orbitën ekonomike të saj.

Perëndimi politik, me rreth 400–450 milionë europianë, amerikanë, kanadezë, australianë dhe japonezë, që të gjithë bashkë kanë një popullsi pothuajse një miliard banorë, nuk mund të barazohet në numrin e popullsisë me Kinën, që ka mbi një miliard e gjysmë banorë. Por, Perëndimi vijon të dominojë nga ana ekonomike, financiarisht dhe teknologjikisht, duke financuar kërkimin shkencor dhe duke qenë lider në shumë fusha.

Kina ka arritur të zhvillohet duke imituar Perëndimin dhe duke investuar masivisht në prodhim dhe teknologji. Megjithatë, ajo ende mbetet e varur ekonomikisht e teknologjikisht nga Perëndimi. Nëse ajo do të izolohej apo shpallte luftë, do të përballej me një “perde të hekurt” dhe me ngadalësim të zhvillimit. Pikërisht për këtë arsye, Xi Jinping po vepron me kujdes, duke ruajtur marrëdhëniet me vendet perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, që mbeten fuqia kryesore ekonomike dhe ushtarake në botë. Këtë e tregojnë numrat. Perëndimi ende ka 47% të Gdp botërore kundret 37% të jugut që pretendon Kina të jetë lider. Pa folur që qendrat më të kuotuara të kërkimkt dhe teknologjisl ndodhen në perëndim. Ndaj është ende herët të flasim për një “rend botëror kinez”./dritare.net