Lulushi: CIA kishte gati planin për të marrë Tiranën
Dritare.net

Studiuesi shqiptaro-amerikan Albert Lulushi sjell dokumente të deklasifikuara të CIA-s për operacionet amerikane kundër regjimit komunist në Shqipëri. Mes tyre është edhe një plan ushtarak prej 788 faqesh për marrjen e pushtetit në Tiranë. Për këto dokumente autori foli në emisionin "Shqip" nga Rudina Xhunga në Dritare TV.
Sipas Lulushit, amerikanët ngritën në Gjermani "Kompaninë 4000", ku ishin rreth 250 shqiptarë. Prej tyre zgjidheshin grupet që dërgoheshin në Shqipëri.
"Numri i personave që kanë hyrë në mënyrë aktive në Shqipëri mund të jetë midis 100 dhe 150 vetash, por një grup më i madh njerëzish ishin në Gjermani. Nëse do të kishte ndonjë luftë të hapur, ata mund të transferoheshin si ushtarë", tha zoti Lulushi.
Në fillim të vitit 1953 CIA mori mandat për të qenë më aktive kundër vendeve të Lindjes. Sipas Lulushit, atëherë u hartua një plan i detajuar për Shqipërinë.
"Forcat parashikohej të dërgoheshin nga deti ose të hynin nga Jugosllavia a nga Greqia, për të marrë pushtetin, në fillim në Tiranë, por pastaj edhe në Shkodër, në Kukës, në Gjirokastër, në Berat, në Vlorë. Është një plan shumë i detajuar që organizoi CIA, 788 faqe", tha ai.
Plani nuk u zbatua kurrë. Megjithatë, sipas studiuesit, ai u bë model për operacione të tjera amerikane.
"Planet që bënte CIA për Shqipërinë ishin si një skemë për planet që pastaj i zbatuan në Guatemalë në '54. Po të shikosh ndërhyrjen në Kubë, në Gjirin e Derrave, ishte i njëjti operacion. Shqipëria ishte si një operacion për të eksperimentuar, për të provuar taktika të ndryshme, për të parë se çfarë është sukses dhe çfarë jo", tha Lulushi./L.F-dritare.net