
Kuçovë, 27 Korrik 2025 – Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se situata me zjarret në vend është aktualisht nën kontroll, pas një periudhe shumë intensive zjarresh në disa zona të Shqipërisë. Në një dalje për mediat nga baza ajrore e Kuçovës, Çako falënderoi të gjitha forcat që janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.
“Pas disa ditësh operacionesh intensive, mund të themi se jemi në një situatë të stabilizuar. Falë përmirësimit të kushteve atmosferike dhe reagimit të koordinuar të të gjitha strukturave, vatrat e zjarrit janë nën kontroll”, u shpreh Çako.
Ai theksoi se disa nga vatrat më problematike kanë qenë në:
• Malin e Shpiragut,
• Malin e Shashicës mbi Kaninë,
• Brosh,
• Piqeras,
• si dhe Bulqizë, ku flakët kanë rrezikuar seriozisht jetën e banorëve dhe pronat e tyre.
Në disa raste, është dashur ndërhyrje e menjëhershme për evakuimin e banorëve, derisa situata u stabilizua dhe ata u rikthyen të sigurt në shtëpitë e tyre.
Ndihma ndërkombëtare ka qenë gjithashtu e pranishme në terren. Drejtori Çako falënderoi posaçërisht ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë për katër ditë në operacione ajrore për mbështetjen e forcave shqiptare.
“Një falënderim i veçantë shkon për komandantin e bazës së Farkës dhe pilotët shqiptarë, të cilët kanë dhënë maksimumin me përkushtim dhe sakrificë për të ndihmuar qytetarët në momentet më kritike”, shtoi Çako.
Ai nënvizoi se, edhe pse situata paraqitet e qetë, monitorimi i terrenit vazhdon me forca të shtuara, për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve të prekura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë dhe apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke mos ndërmarrë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, si ndezja e zjarreve në natyrë apo djegia e mbeturinave./L.F-dritare.net

















