
Nuk ishte ai mbreti i kokainës. SPAK arreston gabimisht qytetarin, GJKKO urdhëron lirimin
Dritare.net
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lirojë Ilir Lloshin, i cili ishte arrestuar gabimisht me urdhër të SPAK si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e 6 tonëve kokainë drejt Europës.
Lloshi qëndroi për 48 orë në qeli, por pas verifikimeve të mëtejshme u konstatua se arrestimi i tij ishte rezultat i një ngatërrimi identitetesh. Sipas burimeve gjyqësore, gjeneralitetet dhe vendbanimi i Lloshit përkonin me ato të personit që SPAK kishte shpallur në kërkim si pjesë e organizatës kriminale.
Para trupës gjykuese, Lloshi deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale dhe se nuk ka dalë asnjëherë jashtë vendit. Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Erion Alibej, dhe krahasimi me foton e të dyshuarit të vërtetë konfirmuan se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person. Si pasojë, gjyqtari Erion Bani urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Lloshit.
Ndërkohë, për pjesën tjetër të të dyshuarve, GJKKO vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Në pranga mbeten biznesmenët Artur dhe Klevis Hoxhosmani, si dhe Ermir Ndrejaj, i njohur si bosi i lokalit “Cinco”. Po ashtu, masa u konfirmua edhe për dy ish-ortakët e tyre, Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të cilët ndodhen në paraburgim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, vëllezërit Hoxhosmani mohuan të kenë përdorur aplikacionin e enkriptuar SkyECC, ndërsa Ndrejaj kërkoi një masë më të butë për shkak të një sëmundjeje të rëndë që vuan. Plaurent Dervishaj, nga ana tjetër, është larguar nga salla pasi u paralajmërua nga gjykata për mosrespektim të rregullave gjatë seancës./L.F-dritare.net

















