Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Flet mësuesja e Aronit: Një djalë me gjithë notat 10-ta

Flet mësuesja e Aronit: Një djalë me gjithë notat 10-ta

Nga Lorena Fjolla

Ngjarja tronditëse e dhunës ndaj një kamerieri 18-vjeçar në një hotel në qytetin e Vlorës ka prekur opinionin publik, jo vetëm për aktin brutal të ushtruar nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person tjetër, por edhe për qetësinë dhe qytetarinë që ka treguar i riu gjatë gjithë ngjarjes.

Dritare TV ka siguruar një intervistë me znj. Vali Veshaj, mësuesja kujdestare e klasës së Aron Balajt, i riu që u dhunua gjatë orarit të punës. Ajo ka ndarë një portret të rrallë të një nxënësi shembullor që sapo ka mbaruar klasën e 11-të, duke treguar se Aroni nuk është thjesht një kamerier i përulur, por një djalë me ëndrra, karakter të fortë dhe një edukatë që rrallë shihet mes moshatarëve të tij.

"Aroni është nxënës me të gjitha 10, senator i klasës, dhe dëshiron të vazhdojë për inxhinieri kompjuterike," – tregon znj. Veshaj. "Ka një bagazh të jashtëzakonshëm, i argumenton mendimet me maturi dhe është i respektuar nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij."

Mësuesja thekson se Aroni është larg veseve që sot përfshijnë një pjesë të madhe të të rinjve, nuk pi duhan, nuk konsumon alkool dhe ruan një sjellje të papërlyer. Ajo vlerëson gjithashtu pjekurinë financiare dhe dëshirën për pavarësi të Aronit:

"Mamaja e tij është mësuese anglishteje. Ai punon sepse ka dashur të paguajë vetë të gjitha aktivitetet e maturës, dhe këtë vit me shumë krenari më tha: Mësuese, unë kam lekët e mia, nuk u bie në qafë familjarëve.'"

Në fund të mesazhit të saj, mësuesja i drejton Aronit një fjalë të ndjerë që përmbledh gjithë emocionin e kësaj ngjarjeje:

"Mesazhi që kam për atë fëmijë të mrekullueshëm është: Më bëre të ndjehem krenare për edukatën dhe qytetarinë që tregove përballë brutalitetit të veshur me pozite shoqërore!'"

Ngjarja ka sjellë reagime të forta publike dhe institucionale. Efektivi Ardian Isufi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.

Por mes zhurmës së dhunës, zëri i arsyes dhe dinjitetit vjen nga një 18-vjeçar – një nxënës, punëtor dhe qytetar që me sjelljen e tij po jep një leksion për të gjithë./dritare.net