
Aksident tragjik në Kanada, humb jetën mjeku dhe profesori shqiptar
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka prekur komunitetin shqiptar në Kanada, pasi mjeku dhe pedagogu i njohur Dr. Agron Alija ka humbur jetën në një aksident rrugor në London, Ontario, më 21 tetor. Lajmi u konfirmua nga ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Kosta Malo, e cila shprehu ngushëllimet e saj të thella për familjen dhe të afërmit e të ndjerit.
Dr. Alija ishte një profesionist i vlerësuar në fushën e mjekësisë dhe shërbente si Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në qytetin e Londonit. Përveç karrierës akademike, ai ishte i njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në komunitetin shqiptar në Kanada, veçanërisht në qytetet Hamilton dhe London, ku gëzonte respekt të madh për humanizmin dhe përkushtimin ndaj pacientëve dhe studentëve.
Ambasadorja Malo e cilësoi Dr. Alijën si një figurë të shquar dhe një njeri me shpirt fisnik, duke theksuar se humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh te familja, kolegët dhe miqtë e tij. “Kujtimi për Dr. Agron Alijën do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithëve”, u shpreh ajo në mesazhin e ngushëllimit, duke uruar forcë dhe durim për familjen në këtë moment të vështirë.
Alija do mbahet mend edhe si mjek që shërbeu në Spitalin Universitar në Prishtinë kur shpërtheu lufta në Kosovë. Në vitin 1988 ai filloi të punonte me Misionin Vëzhgues Diplomatik të Kosovës dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë si staf lokal për Ekipin e Evakuimit Mjekësor. Të dyja organizatat ishin të përfshira në ruajtjen e paqes në rajon./dritare.net

















