
Tiranë, 27 Korrik 2025 – Policia e Shtetit ka intensifikuar ndjeshëm masat parandaluese, hetimore dhe ndëshkimore ndaj zjarrvënieve, duke ndërmarrë një sërë veprimesh të koordinuara në të gjithë vendin për të ndaluar përhapjen e flakëve që po rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjatë 72 orëve të fundit, në kuadër të një operacioni të gjerë, janë identifikuar, kapur dhe ndaluar 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve, të qëllimshme apo nga pakujdesia, në disa qarqe të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin, Vlorën, Sarandën, Gjirokastrën, Dibrën, Shkodrën, Poliçanin dhe Elbasanin.
Ndër rastet më të rëndësishme të regjistruara janë:
• Tiranë: Arrestimi i autorit të zjarrvënies në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa.
• Durrës/Shijak: Arrestimi i një shtetasi që shkaktoi zjarr në një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel.
• Fier: Një shtetas u arrestua dhe një tjetër u procedua për zjarrvënie që sollën dëmtime në ullishte.
• Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër: Persona të ndaluar për zjarrvënie në zona të mbrojtura dhe malore.
• Kurbin, Dibër, Shkodër, Poliçan dhe Belsh/Cërrik: Procedime penale për zjarrvënie të shkaktuara nga konflikte, pakujdesi apo pastrim i tokës me zjarr.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar kalimin në gatishmëri të lartë të të gjitha strukturave vendore të policisë, me direktiva të qarta për parandalimin e zjarrvënieve dhe ndëshkimin e çdo autori.
Policia u bën thirrje të gjithë banorëve, veçanërisht atyre që përdorin toka bujqësore apo kullota, që të shmangin çdo lloj zjarrvënieje. Kujdes i veçantë duhet treguar edhe për hedhjen e cigareve të ndezura në rrugë apo në natyrë, pasi mund të shkaktojnë zjarr.
Kushdo që do të djegë pyje apo toka, qëllimisht ose nga pakujdesia, do të përballet me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit garanton qytetarët për reagim të menjëhershëm ndaj çdo denoncimi dhe u bën thirrje të raportojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin falas 112, duke siguruar anonimat të plotë./l.f-dritare.net

















