
Shqipëria në flakë: 45 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 21 ende aktive
Dritare.net
Shqipëria vijon të jetë nën pushtetin e flakëve, ndërsa situata paraqitet alarmante në shumë zona të vendit. Në 24 orët e fundit janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten ende aktive, 16 janë nën monitorim, ndërsa vetëm 8 janë shuar.
Flakët kanë përfshirë zona të gjera pyjore dhe malore, shpesh të paarritshme për mjetet zjarrfikëse, ndërkohë që ndërhyrja ajrore është bërë e domosdoshme në disa raste. Mbi 1,350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse janë angazhuar në terren, krahas 5 mjeteve zjarrfikëse dhe 2 helikopterëve të Forcave të Armatosura, si dhe ndihmës së ofruar nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile me 2 helikopterë hungarezë dhe 2 avionë Canadair kroatë e italianë.
Zonat më problematike përfshijnë:
Parku Kombëtar i Lurës, ku zjarri në zonën e “Liqenit të Luleve” vijon të përparojë në Gropën e Madhe dhe Pllanë e Gjurës, me rreth 50 forca në terren.
Zall-Gjoçaj, Bashkia Mat, ku flakët janë përhapur në tre drejtime, me shtrirje mbi 14 km.
Qafa e Buallit, Bulqizë, ku 120 forca dhe 2 helikopterë po përballen me vatra të mëdha. Janë evakuuar 6 banesa.
Delvinë, ku zjarret në fshatrat Kalasë, Borsh, Piqeras, Sasaj dhe Lukovë janë në terrene të paarritshme. Era përshpejton përhapjen e flakëve.
Kopaçëz, ku zjarrfikësit dhe një helikopter Cougar vijojnë luftën me flakët.
Gramsh, Elbasan, Pogradec, Berat, Pustec, Devoll, Gjirokastër, Memaliaj dhe Shijak, ku dhjetëra forca po përpiqen të izolojnë ose monitorojnë vatra të shumta.
Shkopet, Milot dhe Mirditë, me përhapje të zjarrit në kufirin ndërbashkiak dhe rrezik të shtuar nga era.
Në Malin me Gropa, Tiranë, është arrestuar një person i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, ndërkohë që në fshatin Ibë po ndërhyhet me helikopterë për shkak të terrenit të vështirë.
Vatra të tjera mbeten në monitorim në bashkitë Mat, Bulqizë, Vlorë, Konispol, Librazhd, Korçë, Maliq, Skrapar, Dimal, Berat, Poliçan dhe Kukës.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për sot priten reshje të dobëta në Shkodër dhe lokalitete të tjera, por rreziku i zjarreve mbetet shumë i lartë në të gjitha qarqet, veçanërisht në zonat malore të Beratit, Dibrës, Elbasanit, Fierit, Lezhës dhe Vlorës.
Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa puna për shuarjen e flakëve vijon pa ndërprerje./K.C/dritare.net

















