Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përmendoret!

Përmendoret!

Nga Rexhep Qosja!

Përmendoret!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Edhe tri përmendore u uruan sot me mbledhje festive. Mirë shumë. Ti si skulptor, Fitim, ke arsye të gëzohesh posaçërisht. Kam e s’kam; së shpejti diku, diku do të kemi më shumë shtatore e përmendore se shtëpi, Bardh. Me shtatore e përmendore pasurohet historia. Dhe, ndonjëherë çhistorizohet. S’kuptoj pse po flet ashtu. Krahasimet shpjegojnë shumëçka. Kështu, për shembull, në kohën e shkëlqimeve të saj të gjithanshme, që ia kishin sjellë përshtrirjet e gjata, shekullore, të pandalshme në tri kontinente - në kontinentin Europian, në kontinentin Aziatik dhe në kontinentin Afrikan, në Perandorinë Romake, thonë historianët e asaj kohe dhe historianët e kohëve të mëvonshme, po ngriheshin gjithnjë e më shumë përmendore. Numri i tyre mund të shënohej në fillimet me katër numra, kurse më vonë, në vitet e fundit të kësaj Perandorie, me pesë numra. Përmendore, na thonë historianët e asaj kohe, u ngriheshin disave që, me të vërtetë, i meritonin ato, por shumë më shpesh atyre që nuk i meritonin! Servilizmi, për të cilin, romakët, na thonë studiuesit e Perandorisë Romake, kishin më shumë emra, më shumë emra me kuptim të drejtpërdrejtë dhe me kuptim të figurshëm, por edhe shumë cilësorë, me kuptim të drejtpërdrejtë dhe me kuptim të figurshëm, ishte bërë “merita më e madhe për dekorimet dhe ngritjet e përmendoreve sidomos në kohën 90 kur ajo Perandori, Perandoria Romake, po quhej Perandoria e mëkateve”.

Numri më i madh i atyre përmendoreve, që kur e kur ndodhte t’u ngriheshin edhe kurvave femërore, por shumë më shpesh kurvave mashkullore, shumë të reja dhe shumë vjetra, ishte bërë temë e komedive të shkruara e të rrëfyera në të katërta anët e Perandorisë, na thotë një studiues i mëkateve të saj. Për të gjitha arsyet e sipërthëna, gojëtari i lavdishëm romak, Mark Porcie Katoni Plaku, i quajtur shkurt Katoni Plaku, do të shkruajë:

“Le të pyesin njerëzit pse Katonit s’i është ngritur përmendore, por le të mos thonë pse Katonit i është ngritur përmendorja”. Nuk kam dëgjuar që ne shqiptarët të kemi pasur ndonjë Katon Plak në historinë dhe në krijimtarinë tonë letrare, artistike dhe shkencore. Mjerisht. Do të kemi! Kur? Kur? S’dihet! Shumëçka s’dihet në jetën e në historinë tonë. Do të dihet. Kur? Pardje! Mos bën shaka. Pasnesër! Prapë shaka. Shakaja jo rrallë e tregon të vërtetën.

Ju jeni një barrë e gjallë që e hiqni zvarrë qytetërimin që prej kohës së njeringrënësit të tetovuar me falusin përpara, që prej kohës së magjistarit pararacional, që bridhte këmbadoras për të tërhequr shiun e për të përtypur zemrën e kundërshtarit të vet me shpresë se do t’ia merrte forcën. Vërtet, përpos bisedave për flamujt tuaj tërheqëse, në këtë copë gjeografi të ndotur, dhe për kufijtë e dhunshëm në të cilët ju shihni trajtën e personifikuar sipërore të historisë dhe të metafizikës shoqërore, s’ka asgjë tjetër pos frikës primitive prej shkëputjes nga fisi, prej ndërprerjes së lidhjes me masën për t’u bërë individ. Te ju është e përmbajtur ajo lektisja e atij paraardhësit për të cilin bota fillonte dhe merrte fund brenda kufijve të asaj që shihte, merrte fund në pyllin e dendur e në shpellën e errët, në bregun theqafës, në atë enklavën e vockël në të cilën ndarja e gjuhës, magjia, tollovia, shprehitë e mbi të gjitha mosdijet dhe frika e grupit të vet e bënin të guximshëm, prandaj e ndiente veten të mbrojtur nga rrufeja, nga shtazët dhe nga fiset e tjera në planet.

Megjithëse, që nga ato kohë të largëta, kanë kaluar shekuj dhe meqenëse mbani kravatë ose fustan dhe bëni liftings në Majami, ju besoni se jeni shumë më superiorë se ai paraardhësi i veshur me lecka prej lëvores së drurit e me buzë të stolisura me vathë, se jeni ai dhe ai është ju! Kërthiza që ju bashkon nëpër shekuj quhet tmerritje prej së panjohurës, urrejtje ndaj së ndryshmes, rezistencë ndaj aventurës, panik para lirisë dhe përgjegjshmërisë, që kërkojnë që rishtazi të imagjinohet çdo ditë e re, si rezistencë 92 ndaj kolektivizimit, me qëllim që të mos detyrohemi që të ballafaqohemi me sfidat e përditshme të sovranitetit individual. Në ato kohëra i pangopshmi i shkretë me mish të njeriut, i zhytur në mosdijen metafizike dhe fizike, duke mos i parë ato që ngjanin rreth tij, kishte një arsyetim të caktuar për mohimin e pavarësisë, kreativitetit dhe lirisë.../dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net