Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dumani ia thotë troç deputetëve: Mos na kërkoni dënim për patronazhistët kur nuk e kemi në Kod Penal!

Dumani ia thotë troç deputetëve: Mos na kërkoni dënim

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në raportimin e tij vjetor në Kuvend, është pyetur sot nga deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, për mungesën e hetimeve ndaj fenomenit të patronazhistëve të përfshirë në zgjedhjet e kaluara, sipas tij.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se “patronazhimi” si term nuk ekziston në Kodin Penal, por sqaroi se çdo veprim që përfshin premtime për favore në këmbim të votës, përbën vepër penale.

“Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë. Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë.

Unë e kam përmendur edhe herë të tjera, SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike.

Prokurori i ngarkuar që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt, ka qartësuar situatën dhe kemi verifikuar se nuk ishte kompetencë e jonë. Ne kemi deputetin subjekt të posaçëm, jo dhunën që ushtrohet ndaj një deputeti. Ne kemi verifikuar prokurorinë e Tiranës dhe i kemi kërkuar verifikimeve të shpejta”, tha Dumani./dritare.net