Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Letra e parë e Zitës vetvetes!

Letra e parë e Zitës vetvetes!

Nga Rexhep Qosja!

Letra e parë e Zitës vetvetes!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

7 maj 2009

Në Prishtinë

E dashura Zitë,

Dje ishte Shën Gjergji.

Nuk e di a e kremtuat edhe Ju a jo.

Ne, në shtëpinë tonë, e kujtuam me pak fjalë.

Të them të vërtetën e të mos i hi në hak vjehrrës, ajo kishte mbledhur do barë dhe gjethe ahu dhe me to e kishte stolisur derën e oborrit e mandej edhe derën e shtëpisë. Nuk kishte harruar plaka, lumja ajo për veten, t’i mblidhte edhe pak hithra, për fat pak, se po të kishte mbledhur më shumë nuk e di se çka do të bëhej me shpinën time, dhe me to na i rrahu tulet e vitheve mua, nuses, tha, bijës së vet, Dranes, por nuk e la pa ia skuqur bythët, tha, edhe të birit, Nardit, të birit të madh. I erdhi keq, shumë i erdhi keq e me këtë keqardhje na bëri të përmallohemi edhe ne të tjerëve, kur tha, qyqja nëna, pse nuk e kam këtu djalin e vogël, Ndokën, që, qe tre vjet, është në Nju-Jork, ku, nuk e kam pyetur, a i kujtohet a jo Shën Gjergji. Të gjithë në shtëpi, mjerisht jemi pak, e kujtuam Shën Gjergjin dhe, jua thashë, në sajë të kujdesit të vjehrrës, pak e shënuam me gjelbërime, kurse mua m’u kujtua, ani këtë natë, çka m’u desh këtë natë ta kujtoj, m’u kujtua Ai, a po e di ti kush është Ai, të gjithë e dinë, të gjitha gratë e vajzat e Prishtinës e dinë, e di edhe ti, jam e sigurt, se cili është Ai. Hajde qëlloja, qëlloja e mos më mundo, cili është Ai. E cili, pra, cili?

Dalani, Dalani, Dalani.

Dalani e ka emrin e madh! Edhe punët i ka të mëdha,

Dalani!

Është i ulur në një karrige të madhe, të gjerë e të lartë, Dalani dhe prej asaj gjerësie dhe prej asaj lartësie në vendin tonë ai bën vetë dhe kërkon prej të vetëve, atyre që i rrinë gjithnjë afër, sa më afër, që të bëhen punë të mëdha edhe prej tyre, prej duarve dhe prej këmbëve të tyre. Dalanit nuk i forcohet ai sendi që nuk po ia them emrin as në këtë letër, sepse edhe letra mund të lexohet prej tjetërkujte tjetërkund para se të mbërrijë tek ti e ta lexosh Ti, vetëm Ti; Dalanit, madje, nuk i forcohet ai sendi edhe kur ulet skaj Teje, as bukuria jote, as buzëqeshja jote, as sytë e tu që magjepsin të gjallë e të vdekur, nuk ia forcojnë, nuk ia çojnë atë sendin, që nuk mund t’ia them emrin këtu, Dalanit tonë!

E të gjithë ata, që nuk u forcohet ai sendi as skaj grave të

bukura, më të bukurave në vendin e tyre, siç ishe, siç je e siç do të jesh Ti gjithmonë, që nuk iu forcohet ai sendi, që nuk po ia them emrin këtu për arsyen që e thashë më lart, as skaj një gruaje që flokët e arta i derdhen shpinës - ato të gjatat e ia harkojnë ballin deri te sytë ato të shkurtuarat, që sytë e kaltër e qesin në të pakët edhe oshënarin, edhe ipeshkvin, edhe myftiun, që buzët e trasha ia trullojnë mendjen edhe, edhe haxhisë, që ka qenë shtatë herë në Qabe, pamundësinë e vet e harrojnë duke i nxitur, duke i detyruar, madje, këshilltarët e vet, truprojat e veta, përcjellësit e vet, të gjithë anëtarët e shpurave të veta pavarësisht sa të vogla e sa të mëdha, që të krijojnë lidhje të njëhershme a të shumëhershme me to.

E pse ashtu të nxitur, të detyruar të krijojnë lidhje me to?

Është vetëm një arsye: që t’i bëjnë të përkushtuara në të gjitha pikëpamjet ndaj Dalanit, që të bëhen ithtare të Tij me librezë, që të bëhen një numër më shumë në regjistrat e tij, e di, besoj cilët janë ata regjistra.

Nuk po e çoj më gjatë këtë letër.

Edhe kaq për këtë herë besoj ishte mjaft.

Qofsh siç je, gjithmonë e gjithkund: e bukur, magnetike, desha të them magjike, pushtuese.

Me përzemërsi të pamatshme deri në çastin e fundit,

Zoja, Zojë Dukati.

P.S. Ato me të cilat e kisha ndër mend ta plotësoja këtë letër i lashë për letrën tjetër, që do ta dërgoj shpejt./dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!