
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
25 nëntor 2009
Pasi shkuan mysafirët
I dashuri Egzon,
S’kemi pritur se do të na vijë dimri kështu para kohe! Për herë të parë do ta kremtojmë Ditën e Flamurit me borë e në borë. Asgjë nuk është më si duhet, prandaj s’janë as dimrat si duhet, as nuk vijnë kur e kanë kohën, as nuk zgjasin sa duhet të zgjasin e as nuk kalojnë kur duhet të kalojnë. Kur dimri vjen kaq herët dikujt i plotësohen qëllimet dhe i bëhet qejfi e dikujt i prishen qëllimet dhe i prishen qejfet. Turli, turli janë këta njerëz: dikush do pak ftohtë, dikush do pak nxehtë, dikush as ftohtë, as nxehtë, po disi asnjanshëm. Unë nuk jam as si të parët, por unë nuk jam as si të dytët! E unë nuk jam as si të tretët. Unë, si politikan që merret edhe me shkencë, që shkruan studime të quajtura sociologjike me mbështetje në të dhëna të quajtura antropologjike, dëshiroj të jem ose zjarr i nxehtë, ose akull i ftohtë dhe të jem kështu ose zjarr i nxehtë, ose akull i ftohtë, sepse në asnjë mënyrë nuk duhet, nuk pranoj, nuk i lejoj vetes, nderit e dinjitetit tim, që çmohen aq shumë prej zgjedhësve tanë, të bëhem asnjanës. Jo. Jam i ndërgjegjshëm se njerëzit asnjanës janë për asgjë: ata as nuk dinë e as nuk munden të të shpëtojnë e as nuk dinë e as nuk munden të të mbysin.
Gabova, i dashuri Egzon, gabova kur u shpreha kështu: kur thashë se as nuk dinë e as nuk munden të të shpëtojnë e as nuk dinë e as nuk munden të të mbysin. Dinë ata, dinë, fort mirë dinë ata të të shpëtojnë dhe dinë, shumë mirë dinë ata sidomos të të mbysin. Nuk është shumë, shumë i vogël numri i të shpëtuarve të tyre, por është i madh, shumë më i madh numri i të mbyturve të tyre.
Kur shkruaj për të shpëtuarit dhe kur shkruaj për të mbyturit e tyre besoj se është me shumë rëndësi, me shumë rëndësi për gjendjen tonë shoqërore, kulturore e kombëtare të them dy-tri fjalë për mënyrat se si të shpëtojnë dhe për mënyrat se si të mbysin ata, ata që duan kur shumë ftohtë e kur shumë nxehtë, domethënë ata që kudo e kurdo bëjnë çmos të mos tregohen asnjanës.
Ata, i dashuri Egzon, të shpëtojnë duke të dhënë krejt çka kanë, dhe me këto krejt çka kanë të bëjnë çirak njëherë e përgjithmonë, si e thotë populli ynë i mençur, më i mençuri jo vetëm në këtë Ballkanin e mallkuar, por në krejt Europën e bekuar!
Ata, i dashuri Egzon, të mbysin po ashtu në një mënyrë, në të vërtetë, në shumë mënyra të veçanta e kur e përdor këtë fjalë të bukur shqipe, të veçantë, nuk e di të krijuar prej gjeniut të popullit, prej Buzukut të madh apo prej Kristoforidhit po aq të madh sa Buzuku, mendoj të krijuar në mënyrë shumë, shumë origjinale. E mënyra e veçantë, domethënë origjinale, sipas së cilës i mbyt ai, më i shquari i tyre, ata që s’i do, ata që s’i duron, ata që s’i mirëkupton, ata që i urren, ata që i largon, ata që i përjashton, ata që i zvogëlon, ata që i qerpazon, ata që i përmuton, është ngadalësia. Ata që të mbysin si ai, ata të mbysin ngadalë, ata ta nxjerrin shpirtin dalëngadalë: më së pari t’i heqin këpucët e çorapët, mandej të heqin kësulën në qoftë se e ke vënë, mandej të heqin setrën, mandej të heqin kravatën, mandej të heqin këmishën, mandej të heqin rripin, mandej të heqin pantallonat, mandej të heqin brekët dhe pas të gjitha këtyre heqjeve të lënë vetëm aty ku ishe pa bukë e pa ujë, vetëm me ajër.
Dhe, ashtu të veçuar, të del shpirti dalëngadalë pa të vizituar kush, pa të parë kush, pa të dëgjuar kush. Ti, Egzon i dashur, jam i sigurt se do ta vuash shumë me shpirtin tënd të madh, me zemrën tënde të madhe vuajtjen e të mbyturve të tillë. Dhe, si të mos e vuash mbytjen e tillë të njerëzve të tillë. Ti je bamirës i madh, humanist i madh, që karrierën tënde të madhe edhe si politikan e shtetar, edhe si shkencëtar, e ke ndërtuar në sajë të gjeniut tënd dhe në sajë të bamirësive të tua. Le të jetë, prandaj, emri yt i përjetshëm dhe le të jetë prandaj lavdia jote e përjetshme! Dhe, do të jenë! Yti me mendje e me shpirt, Nderim Fusha./dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!

















