Ilir Demalia: Drejtësia mes shpresës dhe riciklimit të zullumit
Dritare.net

Nga Ilir Demalia
Në këtë fundviti doli në sipërfaqe ajo që prej vitesh flitej prej kohësh: korrupsioni i politikës 35-vjeçare nuk ishte devijim, por sistem. Nuk ishte përjashtim, por rregull. Një mekanizëm i ndërtuar me vetëdije, i ushqyer dhe i mbrojtur nga politika, biznesi, media dhe krimi.
Qytetarët i kanë parë çdo ditë llukset e politikanëve, qeveritarëve dhe deputetëve: gara e parkimit të makinave ku mbi 100 mijë dollarë ishte minimale; shoferë, bodyguardë që i hapnin dyert. Dhe kujtë?!! Bizhuteri, veshje dhe çanta mijëra euroshe. Dhe kur hapnin gojën në Parlament, shisnin moral për popullin dhe fjalor Gabi-an nga goja.
Kjo ishte vetëm fasada.
Pas saj qëndronte një elitë mediatike dhe opinioniste, e pasuruar në heshtje, që kapërdiset në tallavatë e darkës dhe shfaqet në ekrane si ndërgjegje qytetare. Pronarë dhe analistë me vila milionëshe në mal, fushë, bregdet e qytet, që zbrisnin në asfalt duke fshirë qyrret në mëngën e xhaketës dhe sot e venë shaminë në xhepin e xhaketës. Janë të përnatëshëm në studiot e “prime time” për të dhënë leksione morali.
Ndërkohë, të fortët e krimit pushtuan hapësirën publike përmes anti-kulturës. Velinat e darkës u bënë pjesë e programeve televizive, një novelë banale e natës shqiptare, ku pas orës tre të mëngjesit përziheshin alkooli, paratë e pista dhe imazhi i pushtetit real. Shteti nuk reagoi. Sepse shteti ishte aty.
Kjo është panorama e marrëdhënies politikë–biznes–media–krim e këtyre 35 viteve. Një vend i shkatërruar si sistem vlerash, i deformuar si hapësirë urbane dhe i denatyralizuar si natyrë. Bregdet i betonuar, qytete pa plan, ndërtime pa vizion ku trafiku është bërë makth 24/7 . Logjika ishte e thjeshtë: rrëmbe, ndërto shpejt dhe ik. Dhe mbi këtë rrëmujë, çdo vit prodhohen “modele suksesi”, njerëz të vitit, Z-të e radhës.
Në këtë realitet u ngrit SPAK-u, si shpresë dhe si mjet. Drejtësi në frymë dhe në germë, por në praktikë i ngarkuar me barrën e pamundur: të çmontojë i vetëm një sistem të ndërtuar për 35 vjet. Një Deus ex Machina që thirret kur gjithçka ka ngecur.
Pyetja nuk është nëse SPAK-u ka vullnet apo profesionistë. Pyetja është nëse drejtësia mund të funksionojë e izoluar në një sistem politik të dështuar. Sepse ngërçi i drejtësisë nuk është teknik, por politik dhe moral. Aq më teper kur vetë drejtësia ka qenë pjesë e gjesë dhe ka qenë lojtare e politikës në mardhëiet me krimin. Ligjet ekzistojnë, por janë ndërtuar për të mos prekur themelin. Për të ndëshkuar individë, jo arkitekturën e krimit dhe korrupsionit.
A do të vendosë SPAK drejtësi për gjithë zullumin 35-vjeçar, apo do të presë vetëm bishtin, sipas udhëzimeve të momentit, duke lënë trupin dhe kokën jashtë? Sepse ky sistem di të riprodhohet. Riciklohet me emra të rinj, me flamuj të rinj, por me të njëjtën rrotë pushteti.
Dështimi i madh i sistemit politik është se nuk prodhon më alternativa. Vetëm riciklim. Vetëm rotacion brenda të njëjtit rreth. Një sistem që nuk reformohet, por mbijeton duke konsumuar gjithçka përreth.
Nëse drejtësia nuk fillon nga A-ja, nga shkaktarët që ngritën këtë sistem grabitjeje që nga viti 1992 dhe që sot kërkojnë të riciklohen sërish, atëherë çdo ndërhyrje do të jetë kozmetike. Dhe kozmetika mbi një trup të kalbur vetëm sa e rëndon erën.
Në këtë gjendje ku ndodhemi, zgjidhja është e qartë, edhe pse e vështirë: ose drejtësia bëhet themel i ri, ose ky vend do të mbetet peng i një tranzicioni të përhershëm, ku politika sundon me tallava, krimi me para dhe media me moral të rremë. Ndërsa drejtësia tund bolen e kandarit por nuk punon kandari.
Kjo nuk është më krizë. Është zgjedhje.