Dosjet e bujshme që ka hetuar kreu i ri i SPAK-ut!
Dritare.net

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur sot prokurorin Klodian Braho si drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Braho do të drejtojë SPAK për 3 vitet e ardhshme, duke marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor. Ai vjen në krye të institucionit pas një procesi të hapur votimi, ku siguroi shumicën e votave të anëtarëve të KLP-së.
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho ka lindur më 21 korrik 1982 në Skrapar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë (2000–2004) dhe më pas në Shkollën e Magjistraturës. Karriera e tij nisi në vitin 2007, kur u emërua prokuror. Deri në vitin 2012 shërbeu në Prokurorinë e Beratit. Më pas vijoi në Prokurorinë e Vlorës, ku mbajti edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit (2014–2015). U transferua në Prokurorinë për Krime të Rënda, ku punoi deri në shuarjen e saj. Pas kalimit me sukses të procesit të Vettingut, u bë pjesë e SPAK që në ditën e themelimit. Deri sot ka drejtuar Seksionin kundër Korrupsionit në SPAK, duke qenë një nga prokurorët më aktivë të strukturës.
Dosjet kryesore të Klodian Brahos
1. “Inceneratori i Elbasanit”
Një ndër hetimet më të mëdha të korrupsionit, ku Braho firmosi urdhër-arrestet për persona kyç të skemës dhe veçoi hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
2. Dosja “5D”
Hetim i procedurave dhe tenderëve në Bashkinë e Tiranës, ku në gjyq përfunduan disa ish-drejtues të institucionit.
3. “Toyota Auris”
Hetim me disa pista, i lidhur me trafikimin e shumave të mëdha të parave dhe persona të përfshirë në çështje të drejtësisë dhe të botës së krimit.
4. Çështja e rihapur e “Gërdecit”
Braho është pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën aktet e ndjekjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për “shpërdorim detyre”./K.C/dritare.net






