
Diellën e kontrolloni ju? Replikat e Ramës me gazetaren në Danimarkë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kopenhagë, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, një platformë e rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim mes vendeve të kontinentit. Në mbërritje ai u prit nga Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ndërsa theksoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit europian në fushat e sigurisë, energjisë dhe integrimit.
I pyetur nga mediat lidhur me kritikat për krijimin e postit të ri të ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Rama tha se skepticizmi është i natyrshëm për çdo risi, por deri tani sistemi “Diella” ka dhënë rezultate konkrete.
“Kjo është diçka e re dhe si çdo risi përballet me kritika, por kemi prova që funksionon shkëlqyer. Ka nisur si asistente virtuale për shërbimet publike dhe ka ndërvepruar me afro 1 milionë persona, duke lëshuar 36 mijë dokumente me vulë digjitale, pa asnjë problem apo kundërshtim,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se Diella po ndihmon gjithashtu në transpozimin e legjislacionit të BE-së në kuadër të negociatave të anëtarësimit, si dhe në procesin e monitorimit të tenderëve publikë, i cili është ende në zhvillim.
“Kritikat janë të mira, por ajo është më e mirë,” tha Kryeministri, duke nënvizuar se inteligjenca artificiale po sjell një revolucion në mënyrën se si ofrohen shërbimet publike dhe si forcohet transparenca në vend.

















