
Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
Po shoh dy harabela duke u zënë në oborrin e shtëpisë; s’kuptoj pse! Zënka e harabelave m’i frymëzoi mendimet. Zihen edhe njerëzit, por s’e kam ditur se zihen edhe monumentet e tyre. Mësova për këtë çudi kur lexova librin e libanezit të njohur, të europianizuar, Amin Maluf, Kolltukët në Senë. Njëra është përmendorja e Njeriut, kurse tjetra është përmendorja e përfaqësuesit të Perëndisë në Tokë, Jezu Krishtit. Ernest Renan quhet ky njeri. Ishte francez. Dhe, ishte filozof, filolog dhe moralist. Ishte autor i shumë veprave, i shumë veprave shumë të lexuara, dhe me shumë ndikim, sidomos në kohën e botimit e të ribotimit të tyre. Në sajë të këtyre veprave aq shumë të lexuara ai do të bëhet intelektuali më emblematik francez i kohës së tij dhe i shumë viteve më pas. Qoftë vetëm titujt e veprave të tij tregojnë se sa të gjera, se sa të gjithanshme, se sa të shumëkohshme ishin interesimet dhe kërkimet e tij shkencore. Lexojini vëmendshëm këta tituj: Kujtime nga fëmijëria dhe rinia, Averoes dhe averoizmi, Origjina e të folurit, Sistemet krahasimtare të gjuhëve semite, Shpirtrat e Bretonit, Roli i popujve semitënë historinë e qytetërimit. Në këtë vepër ai do ta shkruajë edhe këtë fjali:
“Ngjarja më e pabesueshme morale e mbajtur mend në histori ka ndodhur në Galile. Një njeri i pakrahasuar - aq i madh sa - edhe pse këtu të gjitha duhet të jenë të gjykuara nga aspekti i shkencës pozitive, nuk do të doja t’i kundërshtoja ata që, të magjepsur nga karakteri i jashtëzakonshëm i veprës së tij, atë njeri e quajnë Zot - ka bërë reformën e judaizmit, një reformë aq të thellë, aq individuale, sa kjo vërtet ishte një e arritur e jashtëzakonshme. Ky tekst do të bëhet shkaku që Ernest Renani të jetë përgjithmonë i damkosur si pogësi europian. Dhe, armik i krishterimit"!
Kështu aq i urryer sa dhe i adhuruar, ai do të paraqitet edhe në monumentin që do t’i ngrihet në Tregie. Këtu, në Tregie, na thotë autori i librit Kolltukët në Senë, kushtuar Akademisë Franceze, Amin Maluf, mund të shihen dy përmendore kundërshtuese, njëra me të cilën i shprehet nderim Ernest Renanit, kurse tjetra që e çnderon. Në përmendoren e parë mund të lexohet kjo fjali e urtë e asaj ane:
“Feja që kemi pasur kurrë s’guxon të bëhet pranga”. Në tjetrën mund të lexohet fjalia të cilën supozohet se e ka shqiptuar një centurion romak nën këmbët e Jezuit të kryqëzuar: “Ky njeri vërtet ishte Bir i Perëndisë”./dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!

















