Historia e Noelia Castillo. Bteja e një të reje mes dhimbjes dhe eutanazisë
Dritare.net

Noelia Castillo ishte një 25-vjeçare nga Barcelona, e cila u bë pjesë e një prej rasteve më të debatuara në Spanjë mbi të drejtën për eutanazi.
Sipas intervistave të saj për media spanjolle, ajo ka treguar se jeta e saj ishte shoqëruar nga trauma të rënda dhe periudha të vështira, përfshirë rritjen në kushte të paqëndrueshme dhe ndjenja të forta vetmie. Ajo ka deklaruar se këto përvoja e kishin bërë të ndiente mungesë mbështetjeje emocionale dhe sociale gjatë gjithë jetës.
Në një intervistë, ajo ka thënë se vendimi i saj për të kërkuar eutanazi ishte i menduar prej kohësh dhe i pandryshueshëm, duke theksuar se nuk kishte më dyshime për zgjedhjen e saj. Ajo gjithashtu ka folur për përplasjet me familjen, veçanërisht me babanë e saj, i cili kundërshtonte vendimin dhe përpiqej ta ndalonte ligjërisht procesin.

Rasti i saj u kthye në një proces të gjatë gjyqësor në Spanjë, pasi kërkesa për eutanazi u miratua fillimisht, por u pezullua për shkak të apelimeve nga familja dhe organizata konservatore Abogados Cristianos. Çështja përfundoi duke u shqyrtuar edhe në nivelin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në deklaratat e saj publike, Castillo ka theksuar se kërkonte “të largohej në paqe” dhe të mos vazhdonte më jetën e mbushur me dhimbje, duke shtuar se ndonëse familja e saj nuk e mbështeste, ajo kërkonte respekt për vendimin e saj personal.
Rasti i saj ka ndezur debat të gjerë në opinionin publik mbi kufijtë e ligjit të eutanazisë në Spanjë, rolin e familjes në vendimmarrje dhe të drejtën individuale për autonomi në fundin e jetës./L.F-dritare.net