
SHBA në alarm/ Forcat federale mobilizohen për të qetësuar trazirat në LA
Dritare.net
Situata në Los Anxhelos vazhdon të jetë tejet e tensionuar pas protestave të ashpra dhe përplasjeve të dhunshme që kanë shpërthyer ditët e fundit. Përballë një klime gjithnjë e më të pasigurt, autoritetet federale amerikane kanë vendosur të dislokojnë rreth 700 ushtarë të marinës dhe 4.000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare për të mbrojtur ndërtesat dhe institucionet federale.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, marinët nuk do të jenë të pajisur me municion të vërtetë. Ata do të kenë vetëm pajisje për kontrollin e turmave, si mburoja dhe mjete jovdekjeprurëse dhe nuk do të kenë autorizim për të kryer arrestime. Detyra e tyre do të jetë thjesht mbrojtja e pronës dhe personelit të qeverisë federale veçanërisht agjentëve të ICE (Shërbimi për Emigracionin dhe Doganat), të cilët kanë qenë shpesh në qendër të kritikave dhe protestave.
Vendimi ka nxitur një reagim të ashpër nga autoritetet lokale. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, kanë kundërshtuar fort vendosjen e trupave ushtarake në rrugët e qytetit. Ata paralajmërojnë se një prani e tillë ushtarake, edhe pse e armatosur lehtë, mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe të ndezë situatën.
Ndërkohë, policia lokale ka ndërhyrë me forcë në disa raste për të ndaluar përleshjet dhe aktet e vandalizmit. Janë raportuar arrestime masive, ndërkohë që forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës, plumba plastikë dhe bomba ndriçuese për të shpërndarë turmat.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se forcat ushtarake janë të vendosura vetëm për mbrojtje dhe jo për ofensivë. Sipas tij, prezenca e marinëve ka për qëllim mbrojtjen e agjentëve federalë dhe sigurinë e ndërtesave qeveritare.
Zhvillimet në Los Angeles po ndiqen me shqetësim edhe në nivel kombëtar, ndërsa debatet rreth përdorimit të ushtrisë brenda kufijve të vendit përballë protestave civile mbeten një temë e ndjeshme dhe e debatueshme në skenën politike amerikane./K.C/dritare.net

















