
Mrekulli në tragjedinë e Air India. Flet pasagjeri i vetëm që mbijetoi nga përplasja
Dritare.net
Në mes të tragjedisë së rëndë ku një avion i Air India u rrëzua duke shkaktuar të paktën 290 viktima, një lajm qëndron si një dritë shprese: një pasagjer është shpëtuar nga përplasja fatale.
Vishwash Kumar Ramesh, një shtetas britanik, u konfirmua si i vetmi i mbijetuar nga fluturimi AI‑171, i cili u rrëzua pak pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad-it. Ai ishte ulur në vendin 11A, pranë daljes emergjente në një Boeing 787 Dreamliner.
Një video që u përhap në rrjetet sociale tregon një burrë që largohet nga vendi i aksidentit me një këmishë të njollosur me gjak dhe më pas policia konfirmoi se kishte të paktën një person të gjallë nga avionit.
Ramesh po trajtohet në spitalin lokal dhe ka dhënë dëshmi për mediat ku përshkruan momentet e tmerrit:
“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, dëgjova një zhurmë të fortë dhe më pas ndodhi përplasja. Gjithçka ndodhi shumë shpejt,” tha ai.
Ai kishte shkuar për të vizituar familjen dhe ishte nisur për kthim drejt Britanisë së Madhe së bashku me vëllain e tij, i cili ishte ulur në një vend tjetër në avion. Aktualisht nuk dihet nëse vëllai i tij ka mbijetuar.
Ekspertët e sigurisë ajrore e kanë quajtur këtë rast si një “mrekulli”, duke theksuar se vendi ku Ramesh ishte ulur është një nga zonat më të rrezikshme gjatë një përplasjeje, pranë krahut të majtë të avionit.
Ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën nën rrënojat dhe autoritetet hetojnë shkaqet e aksidentit, historia e Vishwash Kumar Ramesh mbetet një dritë shprese mes dhimbjes dhe tragjedisë./K.C/dritare.net

















