
Drita e besimit ndez Shna Ndoun. Përmbyllet pelegrinazhi i 13 të martave
Dritare.net
Si çdo vit, më 12 dhe 13 qershor, mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare i drejtohen Kishës së Shna Ndout në Laç, për të marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të pelegrinazhit 13-javor në nder të shenjtit Shën Antoni i Padovës, i njohur ndryshe si Shna Ndou.
Ky pelegrinazh, një nga më të rëndësishmit në traditën fetare shqiptare, nis çdo të martë pas Pashkëve dhe përfundon më 13 qershor, Dita e Shenjtë e Shna Ndout. Besimtarë të të gjitha moshave ecin në këmbë drejt kishës, duke sjellë me vete lutjet, shpresat dhe falënderimet e tyre.
Përveç aspektit fetar, ky pelegrinazh ka edhe një rëndësi të veçantë kulturore dhe shpirtërore për shqiptarët, duke qenë një manifestim i gjallë i besimit dhe trashëgimisë shpirtërore të vendit.
Ceremonitë liturgjike, meshat solemne dhe ritualet e besimtarëve do të zhvillohen gjatë dy ditëve kulmore, ndërsa pritet një pjesëmarrje masive, siç ka ndodhur tradicionalisht çdo vit. Autoritetet vendore kanë marrë masa për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pelegrinëve.
Kisha e Shna Ndout në Laç mbetet një nga vendet më të vizituara të kultit në Shqipëri, ku bashkohen feja, besimi popullor dhe tradita shekullore./K.C/dritare.net

















