Kur do mbarojë lufta me Iranin! Përgjigjet sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë
Dritare.net

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të enjten se rritja e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme dhe se operacioni ushtarak amerikan në Iran do të sjellë ulje të çmimeve të karburanteve në afat të gjatë.
Leavitt shtoi se ushtria amerikane po përgatit opsione të tjera pas urdhrit të presidentit Donald Trump për të mbajtur të hapur Kanalin e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Ajo nuk dha detaje mbi këto opsione shtesë, por nënvizoi se presidenti nuk heziton t’i përdorë ato në rast nevoje.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi kohëzgjatjen e konfliktit, Leavitt tha se plani fillestar ishte që operacionet të zgjaten katër deri në gjashtë javë, për të shkatërruar raketat dhe flotën iraniane, për të eliminuar kapacitetet bërthamore dhe për të goditur grupet proxy të regjimit. Ajo theksoi se lufta nuk do të përfundojë deri sa Irani të dorëzohet plotësisht dhe pa kushte.
Sekretarja e shtypit sqaroi gjithashtu se Marina amerikane nuk ka eskortuar ende ndonjë tanker përmes Kanalit të Hormuzit, duke u përgjigjur një postimi të fshirë nga sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, i cili pretendonte të kundërtën. Leavitt i la përgjigjet e mëtejshme Departamentit të Energjisë.
Kalimi i anijeve përmes Kanalit të Hormuzit është ndërprerë pas fillimit të përplasjeve ushtarake midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke krijuar shqetësime për furnizimet globale të naftës dhe gazit./K.C/dritare.net