
Të paktën 290 viktima nga përplasja e avionit të Air India në Ahmedabad
Dritare.net
Një nga tragjeditë më të rënda ajrore të viteve të fundit ka goditur Indinë këtë të enjte, pasi një avion i kompanisë “Air India” me numër fluturimi AI‑171 u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad-it, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 290 personave.
Sipas raportimeve nga autoritetet shëndetësore vendase dhe burimeve të CNN, avioni, i cili ishte nisur drejt aeroportit Gatwick të Londrës, u përplas në një zonë të banuar pranë kampusit të Kolegjit Mjekësor BJ dhe spitalit civil në Ahmedabad. Përplasja ndodhi me aq forcë sa avioni goditi konviktin e studentëve, duke shkaktuar viktima jo vetëm mes pasagjerëve, por edhe mes banorëve lokalë dhe studentëve të konviktit.
Një mjek nga Spitali Civil i qytetit konfirmoi për CNN se numri i viktimave pritet të rritet, pasi shumë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. Deri tani, janë konfirmuar të paktën 3 studentë të mjekësisë të vdekur dhe mbi 30 të tjerë të plagosur.
Avioni kishte në bord shtetas nga disa vende, përfshirë Indinë, Britaninë, Kanadanë dhe Portugalinë. Mësohet se kishte gjithsej 242 persona në bord, ndërsa vetëm një pasagjer ka mbijetuar, një shtetas britaniko-indian, i cili ndodhet nën kujdes intensiv.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë për një shkatërrim të plotë, ndërtesat e konviktit janë shkrumbuar, automjetet janë përfshirë nga flakët, dhe ekipe të mëdha shpëtimi po vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Shkaku i përplasjes mbetet ende i paqartë, por hetimet janë duke u zhvilluar nga autoritetet indiane të aviacionit civil në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë.
Kryeministri i Indisë shprehu ngushëllimet e tij përmes një deklarate të shkurtër në rrjetet sociale dhe shpalli zi kombëtare, ndërsa përpjekjet për identifikimin e viktimave dhe ndihmën për familjet e tyre janë në vijim.
Kjo ngjarje përfaqëson një nga aksidentet ajrore më tragjike në historinë e aviacionit civil në Indi./K.C/dritare.net

















