
Avioni me destinacion Londrën përplaset pak sekonda pas ngritjes. Mbi 200 pasagjerë në bord
Dritare.net
Një avion i kompanisë Air India, me më shumë se 200 pasagjerë në bord, është përplasur sot pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, në perëndim të Indisë. Fluturimi AI171, që kishte destinacion aeroportin Gatwick të Londrës, ka pësuar një incident fatal në një zonë rezidenciale, sipas raportimeve të korrespondentit të BBC për Azinë Jugore.
Sipas të dhënave nga Flightradar24, faqja që ndjek në kohë reale fluturimet globale, sinjali i fundit nga avioni është marrë në një lartësi prej vetëm 190 metrash, “vetëm sekonda pas ngritjes”.
Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës janë aktualisht në vendin e ngjarjes. Nuk ka ende një bilanc zyrtar të viktimave apo të mbijetuarve, ndërsa forcat e shpëtimit po punojnë për të gjetur të mbijetuar mes rrënojave. Dëshmitarët raportojnë për zjarr të madh dhe dëme në disa ndërtesa banimi.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Hetimet janë në fazat e para dhe pritet që autoriteti i aviacionit civil indian të japë më shumë informacion gjatë orëve në vijim./L.F-dritare.net

















