Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Aktorja Hajrie Rondo do të prehet në Himarë, ja kur bëhet varrimi!

Aktorja Hajrie Rondo do të prehet në Himarë, ja kur bëhet
Homazhet për përcjelljen e aktores së shquar Hajrie Rondo do të mbahen në Himarë, në vendlindjen e bashkëshortit të saj, Kiço Rondos. E bija, Klea Rondo lajmëroi se varrimi do të bëhet në orën 15:00 në Himarë.

Hajrie Rondo u nda nga jeta në moshën 66 vjeçare, duke lënë pas një karrierë të pasur me 100 role në skenë dhe 20 role të tjera në kinema e televizion.

Ajo lindi në Delvinë më 1 Mars të vitit 1951. U martua në vitin 1980 me Kiço Rondon nga Himara. Bashkëkohësit dhe të afërmit e saj tregojnë se talenti i Hajrie Rondos për aktrim, letërsi dhe sporte është shfaqur që në gjimnazin “10 Korriku” të Delvinës. Më pas Rondo nisi studimet në akademinë e arteve, ku pati pedagogë Drita Agollin dhe Birçe Haskon.

Në vitin 1972, aktorja e re emërohet në teatrin e qytetit të Fierit Bylis. Pas rëndimit të shëndetit të saj për shkak të sëmundjes së kancerit, Hajrie Rondo u zhvendos nga Fieri për të jetuar në Himarë, vendin ku u martua, dhe ku bashkëshorti i saj Kiço Rondo ushtronte aktivitet e tij si trajner basketbolli. Aktorja erdhi në Tiranë një vit më parë me shpresën për t’iu rikthyer skenës dhe la të rrënjosur në kujtesën e publikut një rol të spikatur në komedinë “Tre dhëndurët” në Teatrin Metropol.

Ajo është nderuar me shumë çmime dhe mban titullin “Aktore e Madhe e Myzeqesë”, dhënë nga Shoqata Social kulturore, “Myzeqeja”. Qyteti i saj i lindjes, Delvina e nderoi në vitin 2008 me titullin e lartë “Qytetare nderi” e këtij qyteti. Po këtë vit, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhrin e Artë ”Naim Frashëri”.