VIDEO/ Çfarë la pas protesta studentore para Ministrisë së Arsimit!
Dritare.net

Xhama të thyer, mure të njollosura me bojë, pllaka trotuari të shkulura dhe mbeturina kudo.
Kjo është pamja që paraqet sot godina e Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit në Tiranë, një ditë pas protestës së studentëve që u përshkallëzua në përplasje me policinë.

Fasada e verdhë e ministrisë është e mbushur me njolla boje të kuqe e të zezë, ndërsa disa dritare kanë xhamat të copëtuar. Edhe dyert e hyrjes kryesore mbajnë ende gjurmët e sendeve që u hodhën drejt godinës.

Trotuari përreth është ende i mbushur me pllaka të shkulura, copa betoni, shishe plastike e mbeturina të tjera. E dëmtuar është edhe porta e hekurt në krah të godinës. Që në orët e para të mëngjesit punëtorët kanë nisur rivendosjen e pllakave të trotuarit.

Kujtojmë se protesta e thirrur nisi të martën rreth orës 14:00. Qindra studentë e qytetarë u mblodhën para ministrisë duke kërkuar arsim cilësor, kushte më të mira në konvikte e universitete.
Situata u tensionua pas hedhjes së vezëve, bojës e kapsollave drejt godinës. Më pas disa protestues shkulën pllaka trotuari e kangjella dhe thyen xhamat e ministrisë. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobot uji për të shpërndarë turmën.E.P-dritare.net