“Te protesta pashë të vërtetën tronditëse”, Rama: Ne kishim fakte, njerëzit përjetim
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka folur për protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke u ndalur te hendeku mes fakteve që paraqet qeveria dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë realitetin e përditshëm.
Rama tha se protesta, pavarësisht ndërhyrjeve të huaja, manipulimeve dhe lajmeve të rreme që sipas tij ishin të pranishme, tregoi një problem që lidhet me përvojën e qytetarëve dhe rënien e besimit.
“Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por asnjë provë nuk e rrëzon: ne lart, kishim fakte. Njerëzit poshtë, kishin përjetim”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, në protestë pati “ndërhyrje të huaj, brutale madje, manipulime të panumërta, lajme të rreme dhe plot aktorë të vënë nga qëllime të ndryshme”, por ai theksoi se këto nuk përbënin thelbin e protestës.
“Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar, por nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve”, u shpreh ai.
Rama tha se përgjigjja për këtë hendek duhet kërkuar te përvoja e përditshme e qytetarëve, duke theksuar se njerëzit janë bërë më pak tolerantë, veçanërisht pas përvojave që kanë pasur me administratën.
“Njerëzit bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos pas përvojave të hidhura me administratën që e derdhën kupën në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve”, tha kryeministri.
Sipas tij, rënia e besimit se pritshmëritë e qytetarëve do të realizohen ka krijuar një situatë ku edhe faktet mund të perceptohen si të pavërteta.
“Atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do të realizohen dhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër, por më zi, edhe gënjeshtra më e madhe fillon të duket si e vërtetë”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te mënyra se si qytetarët e krahasojnë sot Shqipërinë me atë që presin të arrijnë, duke thënë se tashmë nuk mjaftohen me vlerësime për atë që është bërë, por kërkojnë llogari për atë që duhet të bëhet.
“Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët e krahasojnë Shqipërinë me bulevardin e mungesave, por me vendin e mundësive ku presin të mbërrijnë”, tha Rama.
Ai shtoi se qytetarët e gjykojnë qeverisjen nisur nga ndryshimet që kanë parë dhe nga pritshmëritë për të ardhmen.
“Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari më shumë nga sa do të donim ne për gjithçka për t’u bërë”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se qytetarët nuk duan më të dëgjojnë vetëm se nga është nisur vendi, por kërkojnë të dinë se ku do të shkojë.
“Një popull që bezdiset kur tregojmë nga sa poshtë jemi nisur dhe sa lart do të shkojë. Ka të drejtë. Sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Nëse nuk e kupton që është më e madhe sesa ti, qofsh edhe vetë PS apo u quajtsh Edi Rama”, përfundoi ai.