Rama në mbledhjen e PS: Flamingot mbyllën një epokë dhe hapën një të re!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat e zhvilluara përpara Kryeministrisë, duke thënë se një nga mësimet kryesore për qeverisjen është se qytetarët nuk jetojnë më me atë që është bërë, por me pritshmëritë për atë që duhet të ndodhë.
Rama tha se qeverisja duhet të bazohet gjithnjë e më shumë te përvoja e përditshme e qytetarëve dhe jo vetëm te statistikat ekonomike apo investimet e realizuara.
“Mësimi i parë që duhet të ndaj me ju është që faktet tona nuk mjaftojnë më sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht njerëzit nuk jetojnë me kënaqësinë e gjërave që ndodhin apo që ndërtohen. Kur prisnin me besim që pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha së tyres. Ata jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësia jonë për t’u përgjigjur”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, qytetarët e përjetojnë me tension diferencën mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe realitetit të tyre të përditshëm, ndërsa rritja ekonomike shoqërohet edhe me rritjen e kostos së jetesës.
“Nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, por në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më ku ishin deri dje dhe s’kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë e tyre”, u shpreh ai.
Duke iu referuar protestave, Rama tha se ato duhet të shërbejnë si një pasqyrë për të kuptuar ndryshimet në shoqëri dhe për të vlerësuar mënyrën e qeverisjes.
“Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë jo si protestë, por pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re që në radhë të parë dhe me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se ka parë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre, të cilën e cilësoi si kalimin nga epoka e mungesave në epokën e pritshmërive.
“Epoka e mbyllur është epoka e mungesave. Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe gëzohen si fëmija një dhurate. Toleranca ndaj gjërave që mungojnë është shumë e madhe. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore. Shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë. Çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq. Deviza e kësaj epoke është ka edhe më mirë”, përfundoi Rama.