Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK lëshon urdhër-arrest për Ilir Shtufin, kush është biznesmeni i ndërtimit i dyshuar për pastrim parash

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër-arrest për biznesmenin Ilir Shtufi, i dyshuar për përfshirje në pastrim parash në kuadër të një hetimi për një grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës.

Sipas hetimeve paraprake, grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza, ndërsa Shtufi akuzohet se ka bashkëpunuar në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Ilir Shtufi është një biznesmen i njohur në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Ai është pronar i kompanisë Nova Construction 2012, ku zotëron 91% të aksioneve, ndërsa 9% të tjera mbahen nga Kujtim Shtufi. Kompania e tij është e përfshirë në disa projekte të rëndësishme ndërtimi në Tiranë.

Një prej projekteve më të njohura ku ai është përfshirë është edhe ndërtimi i kullës së quajtur “Mali i Tiranës”, një objekt i planifikuar të ketë rreth 65 kate dhe lartësi rreth 185 metrash, i cili pritet të jetë një nga godinat më të larta në kryeqytet.

Emri i Shtufit është përmendur më herët edhe në hetime dhe dosje të ndryshme të SPAK, përfshirë çështje që lidhen me tendera publikë dhe procedura ndërtimi, si dhe në media për lidhje të supozuara me persona të njohur publikë.

Sipas raportimeve të mëparshme mediatike, kompania e tij ka fituar edhe tendera në projekte infrastrukturore, përfshirë pjesë të Unazës së Madhe në Tiranë, të cilat aktualisht janë nën verifikim nga autoritetet hetimore.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë zyrtare mbi akuzat dhe rolin e secilit person të përfshirë në këtë çështje./L.F-dritare.net