Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Shqiptarët e mrekullueshëm, pjesë e Dritares në 2019

Shqiptarët e mrekullueshëm, pjesë e Dritares në 2019

Shqiptarë të mrekullueshëm ka plot dhe arritjet e tyre na bëjnë krenarë. Kjo është edhe arsyeja pse ne zgjedhim të tregojmë histori të bukura, frymëzuese, që japin shpresë. Në ciklin tonë "Shqiptarët e mrekullueshëm", këtë vit u bënë pjesë një sërë emrash, ndaj ne po i sjellim edhe një herë në vëmendje historitë e tyre. Luljeta Bozo, gruaja që “vrau” tërmetin! Inxhinierja Luljeta Bozo, një shqiptare e mrekullueshme, që do të mbahet mend gjatë. Zonja që na ngrohu zemrat dhe qetësoi mendjen, në ditët e vështira, pas tërmetit të 26 nëntorit. Ne i kthyem sytë nga ajo, ta pyesnim, po ajo vetë si është. Na tregoi se është mirë dhe energjinë në moshën 77-vjeçare ia jep vetëm puna. Na tregoi ku jeton, ku punon, na rrëfeu se është një grua e zakonshme si mijëra të zakonshëm të tjerë në këtë vend, që i kanë nxjerrë në pension dhe nuk ua duan mendjen. "Por unë nuk pres të më kërkojnë, tha profesoreshë, Luljeta Bozo. Unë vij e jap një dorë, vetë, pa më thënë, që kjo Shqipëri t’ia dalë. Se e dua", një intervistë për mos u humbur.(lexo këtu) Ju njohim me Migretën, logopeden nga Vlora që shkëlqen në Norvegji! Një 28-vjeçare, që prej 7 vjetësh jeton dhe punon në Norvegji. Ajo i nisi studimet në Tiranë, por në vitin e fundit të studimeve, u prezantua në fakultet me një projekt për bursë të plotë për studime në Norvegji. Nga të gjitha aplikantët, Norvegjia do të përzgjidhte vetëm 4 fitues. Migreta ishte njëra prej tyre. Nuk e gjeti fushë me lule, po ia doli se dëshira ishte më e madhe se vështirësia. Sot ajo është këshilluese pedagogjike dhe psikologjike, në Komunën Os, në Shërbimin Pedagogjik Psikologjik të Shtetit. (lexo këtu) Historia e suksesit të Sokol Rexhepit, një ndër gjinekologët më të mirë në Gjermani! Doktor Sokol Rexhepi, është një ndër mjekët më të njohur në Gjermani. Pas një dekade specializimesh të njëpasnjëshme, ai ka arritur sot gradat më të larta shkencore në fushën e gjinekologjisë. Sot ai është shef obstetër-gjinekolog, në spitalin Eichstätt pranë Munihut. Si çdo histori suksesi, fillimet ishin tejet e vështira, aq më tepër në vitin 1994, kur ai mori rrugën për në Gjermani. Por sot ia ka dalë, dhe ne sot jemi krenarë që një shqiptar, ka dhënë një kontribut kaq të vyer në fushën e mjekësisë. (lexo këtu). Henry, shqiptari 12-vjeçar që luan në serialet më popullore në botë! Henri, është një djalë 12-vjeçar, për të cilin mburremi të gjithë. Ai zotëron shumë talente, duke filluar që nga arti dhe muzika, modelingu, reklamat dhe aktrimi. Henry Lile sot është një aktor i njohur në gjithë botën, sepse ka luajtur në filma e seriale popullore, si Nameless, The Good Fight, Riviera apo Jellyfish Flet, shkruan dhe lexon shumë mirë shqip, anglisht dhe italisht, ndërsa po mëson të flasë spanjisht, latinisht dhe frëngjisht. Henry i bie violinës, violonçelit dhe pianos. Një shqiptar i vogël, i mrekullueshëm, për të cilin jemi të lumtur që u bë pjesë e dritares. (lexo këtu). Historia e lezhjanit, që gatoi nga ishujt Kanarie në Danimarkë Paulin Leci, është një kuzhinier i talentuar lezhjan, i cili e ka zhvilluar pasionin e tij në disa shtete të botës. Si shumica e kuzhinierëve, puna e parë ishte pjatalarës. Mbase të gjithë e nisin aty, por po kështu shumica edhe e lënë aty. Por jo Paulini. Kur kthehet në kohe, ai tregon se dashuria dhe kurioziteti i tij për kuzhinën, ka lindur papritur, kur atij i ra në dorë një artikull për manaferrat dhe thanat. Pjatat e tij, të cilat janë një krijimtari më vete, pothuajse të gjitha kanë në dekor këto dy fruta. Ai tregoi për dritare.net se kënaqësia më e madhe e një kuzhinieri është kur klientët thonë “uau”, dhe të tillë janë plot që e vlerësojnë. (lexo këtu) Zenel Laci, emigranti shqiptar që dikur shiste patate të skuqura, pushton teatrot e Brukselit me historinë e tij Ai mund të quhet pa frikë emigranti shqiptar më i famshëm në Bruksel, i cili për 16 vite ka punuar në dyqanin e familjes së tij ku shiste patate të skuqura. Zenel Laci, ka lindur në Bruksel nga prindër shqiptarë, të arratisur nga vendi gjatë regjimit komunist. Zeneli e gjen veten qysh në moshën 16 vjeçare duke punuar në biznesin e familjes. Jeta e emigrantit, e familjes shqiptare rrëfehet me humor e ironi, ndërsa Zenel Laci ka shkruar dhe ka vënë vet në skenë historinë e tij, që në fakt është historia e çdo emigranti. Edhe pse jo të gjithë emigrantët munden të jenë “aktor” të jetës së tyre, si Zenel Laci. (lexo këtu) Holta, shqiptarja që lindi në Pekin dhe punon në Londër Kjo është historia e bukur e një vajze të pazakontë, një shqiptareje bote, të shumë shkollave dhe qyteteve që e do Shqipërinë dhe nuk e harroi kurrë shqipen. Quhet Holta Çelmeta, lindi në Pekin dhe aty u shkollua. Në CNN kinez mori mësimet e para për gazetarinë dhe leksionin se për t’u bërë gazetare e zonja do t’i duhej edhe një diplome tjetër, ndaj ajo u diplomua për Juridik në Britaninë e Madhe. Mësimet e gazetarisë së mirë i mori në Reuters, në Londër, ku u edukua se në media, është më mirë të jesh i ngadaltë, sesa i gabuar. (lexo këtu). Abdulla Krutani, i mbijetuari i fundit i “Mauthausen” Abdulla Krutani është shqiptari i fundit që ka shansin të na rrëfejë ende tmerrin e një kohe, që për shumë mund të tingëllojë joreale për shkak të distancës, qëndrimin e tij në “Kampin e shfarosjes”, Mauthausen. Ishte vetëm 17 vjeç kur nazistët së bashku me shumë shokë të tjerë i kapën në Pezë për t’i dërguar drejt ferrit. Kur e takon Adbullah Krutanin, kupton se nuk po takon thjesht një të mbijetuar të kampeve famëkeqe të Hitlerit, por një njeri të veçantë, me një forcë të jashtëzakonshme që ta bën bisedën më të lehtë. Është kjo forcë që e ka mbajtur atë në jetë. “Në radhë të parë njeriu duhet të ketë kurajo në vetvete. E dyta, gjithmonë duhet ta mbajë mendjen tek e mira, jo tek e keqja”. Një histori ekskluzive për dritare.net.(lexo këtu) Historia frymëzuese e Valentina Ndout, pedagoges shkodrane në Itali

Valentina Dardha Ndou një zonjë nga Shkodra, që karrierën e nisi në qytetin e lindjes, por majat e suksesit i arriti në Itali. Pas studimeve, u bë asistent pedagoge, në Univesitetin e Shkodrws. Pas dy vjetësh punë, Valentina fiton të drejtën e studimeve master, për biznes digjital, në Universitetin e Salentos në Itali. E vendosur për t’i ngjitur shkallët e suksesit sa shpejt po aq të sigurt, hapi i radhës ishin sërish studimet, këtë herë, në gradën e doktoraturës. Valentina ka marrë pjesë në dhjetëra konkurse. Këtu më shumë se kurrë, ka dëshmuar për kokëfortësinë e një shkodraneje, që nuk e lëshon kollaj vendin e parë. Triumfe në çdo garë. Ajo është pedagoge në Universitetin e salentos në Itali, ndërsa në shtator të këtij viti, u emërua si këshilltare dhe përgjegjëse për çështjet sociale, arsimin dhe inovacionin në Komunën e Monteroni di Lecce. (lexo këtu) Josefi, një vlonjat fantastik në galeritë më të mira të Nju Jorkut

Jozefi është piktor dhe veprat e tij ekspozohen në galeritë më të mira amerikane, në Cutter and Cutter Fine Art apo Ocean Galleries Stone Harbor. Aty ku gjen Chagall, Miro, Dali, do gjesh edhe piktorin vlonjat. Çdo vepër e tij, nuk ndodh të shitet nën vlerën e 30 mijë dollarëve. Rrugëtimi i tij drejt artit nisi qe në moshën 13-vjeçare. Josef kishte ëndrra të mëdha, por as i shkonte në mendje, se skicat që bënte në atë kohë, ishin punime të një piktori, që një ditë do bëhej kaq i njohur në botë. Ekspozitat e tij kanë qenë të shumta, jo vetëm në Amerikë, por dhe në Kanada e Greqi. Josef është nderuar gjithashtu me disa çmime, që për një piktor janë një kënaqësi e madhe shpirtërore dhe vlerësim i një pune intensive e krijuese.(lexo këtu).
Cecilia Laca, violinistja e parë në teatrin më të vjetër në botë, “San Carlo”

Cecilia Laca është violinistja e parë në teatrin më të vjetër në botë, atë të “San Carlo”, në Napoli. Një tjetër rast suksesi i një shqiptareje në skenat e mëdha të botës, për të cilin Cecilia thotë se i është dashur shumë punë. Në një intervistë për dritare.net, Laca e cila është mbesa e kompozitorit të njohur Gjon Simoni dhe violinistit Cin Simoni, tregon vështirësitë e shkollimit në Itali dhe suksesin që ka prekur, duke qenë violiniste e njërit nga teatrot më antikë dhe më prestigjozë në Europë dhe në botë.(lexo këtu) Produkte bio vetëm te ‘çunat’ në Komunën e Parisit Tre djem të rinj, të cilët prej kohësh shisnin në rrugë fruta-perime ishin përzënë nga policia. Por ata nuk u kthyen në shtëpi për ta ndalur punën e tyre. Ata morën një dyqan me qira në Komunën e Parisit. Në ditën e dytë të punës në ambientin e ri, dyqani ishte plot, ndaj ne shkuam për të mësuar më shumë, për historinë e tyre. Nëse çdokush mund të ishte tërhequr, këta djem të rinj na mësuan se një pengesë dikë mund ta rrëzojë, por dikë tjetër mund ta motivojë.(lexo këtu). /L.F-dritare.net