Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Produkte bio vetëm te ‘çunat’ në Komunën e Parisit

Produkte bio vetëm te ‘çunat’ në Komunën e

Nga Lorena Fjolla Ditën e sotme teksa shkoja për në punë, në rrugën që të çon te ‘Qendra Kristal’ në ‘Komunën e Parisit’, më tërhoqi vëmendjen një djalë i cili thërriste me të madhe “produkte fshati, vetëm bio”. Ktheva kokën dhe më ra në sy një dyqan i vogël fruta-perimesh të cilin nuk e kisha parë më parë. Kuriozitetin më shumë, ma shtuan dhjetëra gra dhe burra të cilët edhe pse temperaturat ishin shumë të larta, nuk i pengonte të prisnin në radhë për të blerë. Thua se kjo ishte pika e vetme që në atë zonë kishte fruta-perime. U afrova për të mësuar më shumë për këtë dyqan të vogël që, në dukje, i paskësh pëlqyer kaq shumë banorëve të Komunës. “Kemi dy ditë që e kemi hapur”, mu përgjigj shpejt djali që shërbente, pasi mbi kokë i qëndronin klientët për të bërë pagesën. Në vetëm kaq pak kohë, të krijosh kaq shumë klientelë, mendova me vete. Në dyqan ishin tre djem të cilët shërbenin, por asnjëri prej tyre në atë moment nuk ja kishte ngenë të bisedonte me mua, pasi dyqani ishte plot. E shfrytëzova këtë çast për të pyetur një nga zonjat që po blinte nëse i kishte provuar produktet. "Po po, janë produkte fshati. Kam shumë kohë që blej vetëm te këto çuna. Më parë shisnin në trotuar, ndërsa tani kanë hapur këtë dyqanin. Por pavarësisht vendit, të paktën kanë patur gjithmonë produkte bio”, më tha zonja. Vendosa të pres pak, për të marrë vesh ndonjë detaj dhe ndërkohë regjistrova një video. [video width="848" height="480" mp4="https://dritare.net/wp-content/uploads/2019/06/WhatsApp-Video-2019-06-27-at-13.42.30.mp4"][/video] Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte mosha e djemve. Dukeshin shumë të rinj, por shumë punëtorë. Pasi u dyqani u zbraz pak, teksa blija ca fruta, fillova të pyes djalin që më shërbente. Kemi shumë kohë që shesim, por policia nuk na lejonte më në trotuar. Ishte shumë e vështirë, por nuk mund të mos dilnim çdo ditë. E gjithë familja ushqehet me këtë punë. Rastësisht aty pranë trotuarit ku ne shisnim fruta dhe perime, jepej një dyqan me qira. Vendosëm ta merrnim. Kemi dy ditë që kemi një ambient të ri, por me klientelën e vjetër”, më tha shumë shkurt 19-vjeçari Afrim Goga. Ai ishte djali i vogël i familjes, ndërsa dy vëllezërit e tjerë Olsi dhe Ylli ishin përkatësisht 25 dhe 30 vjeç. Ata banojnë në Njësinë Administrative Vaqarr, në Tiranë, ku kanë edhe tokat. E gjithë familja punon ditë e natë. Sot ata ishin të lumtur që dje nuk ishin lejuar të shisnin më në trotuar. Vetëm kështu kanë marrë guximin të ngjitin edhe një shkallë më shumë dhe të kenë një ambient të tyrin. Nëse çdokush mund të ishte tërhequr, këta djem të rinj na mësuan se një pengesë dikë mund ta rrëzojë, por dikë tjetër mund ta motivojë. Nëse edhe ju keni një histori frymëzuese dhe dëshironi të bëheni pjesë e rubrikës që i dedikohet njerëzve të thjeshtë ju ftojmë të na shkruani në faqen tonë të facebook-ut Dritare.net. Ne do t'i publikojmë për të motivuar çdo kënd, se puna dhe vullneti asnjëherë nuk të lënë në baltë, pavarësisht pengesave që mund të hasni rrugës. Ne kemi nevojë për histori të tilla, ndaj mos hezitoni të na shkruani./dritare.net