Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Monika Kryemadhi pas daljes nga SPAK: S’më intereson më Ilir Meta, udhëtova në SHBA për ditëlindjen e vajzës

Monika Kryemadhi pas daljes nga SPAK: S’më intereson më Ilir

Monika Kryemadhi është paraqitur sot në ambientet e SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ajo dha një deklaratë për mediat, ku sqaroi disa prej çështjeve që lidhen me udhëtimet dhe hetimet ndaj saj.

Kryemadhi konfirmoi se kohët e fundit ka qenë në Shtetet e Bashkuara, konkretisht në Las Vegas dhe Los Anxheles, së bashku me kushërinjtë e saj, mes tyre këngëtarja Bebe Rexha dhe Adrian Shatku. Ajo theksoi se udhëtimi ishte për të festuar 10-vjetorin e vajzës së saj dhe ishte shoqëruar edhe nga disa mikesha.

Në lidhje me akuzat për shpenzime marramendëse në SHBA, përfshirë pretendimin për mbi 200 mijë dollarë të shpenzuara për veshje, Kryemadhi i hodhi poshtë këto si "thashetheme të shpërndara nga Tedi Blushi", sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, të cilin e akuzoi se “merr direktiva nga SPAK”.

E pyetur për ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit, Kryemadhi tha se nuk ka më asnjë interes për atë që ai mendon, thotë apo bën. Sipas saj, Meta informohet vetëm për ato çështje që i interesojnë rrethit të tij të ngushtë.

“Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj. Nëse kam bërë ndonjë gabim, hajde ta diskutojmë”, deklaroi Kryemadhi./L.F-dritare.net