
Salianji pas burgut: Do e çoj çështjen në Strasburg, kjo është beteja jonë!
Dritare.net
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për mediat pas lirimit nga burgu i Fierit, ku vuante një dënim prej 1 viti për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”.
Salianji, i cili qëndroi pas hekurave prej tetorit 2024, deklaroi se dënimi i tij është pjesë e një hakmarrjeje politike, me qëllim për ta eliminuar nga gara zgjedhore.
“Më shumë se 9 muaj në burg për arsye politike, i dënuar pasi denoncova dhe çova para drejtësisë një trafikant ndërkombëtar droge. Ky është një dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore dhe për shkak të fitores sime ndaj PS-së,” tha Salianji.
Ai shtoi se koha në burg duhet të jetë mesazh dhe frymëzim për demokratët që të vazhdojnë luftën kundër regjimit që, sipas tij, është instaluar në vend.
“Çdo ditë në burg ishte një denoncim ndaj këtij regjimi. Besoj se kjo do të frymëzojë mijëra demokratë që të mos dorëzohen,” u shpreh ish-deputeti.
Salianji premtoi se do të vijojë betejën politike dhe ligjore, duke paralajmëruar se çështjen do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut.
“Do kërkoj drejtësi në Strasburg. Burgosja ime është dëshmi se sistemi është i kalbur dhe frikësohet nga opozita. Nuk kam bërë burg për krime apo vjedhje, por për arsye politike,” tha ai./K.C/dritare.net

















