
Meta apelon vendimin e GJKKO-së për masën “arrest me burg”
Dritare.net
Ilir Meta ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila më 26 qershor refuzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Seanca e fundit në GJKKO zgjati rreth katër orë dhe u karakterizua nga debate të forta mes Metës dhe prokurorit të çështjes, Sotir Kllapi. Ish-presidenti dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë e cilësoi të pabazë akuzën për korrupsion që rëndon ndaj tij, ndërsa fajin për episodet e përmendura nga SPAK ia atribuon ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Sipas Metës, përdorimi i kartave të kreditit që i ishin dhënë Monika Kryemadhit nga biznesmeni Adrian Shatku dhe që SPAK i konsideron si mitë në këmbim të favoreve, ka qenë një veprim i kryer pa dijeninë e tij. Ai pretendon se sapo është njohur me këtë fakt, ka marrë vendimin për t’u divorcuar nga Kryemadhi, duke e cilësuar sjelljen e saj si “një shkelje të rëndë të besimit, të ligjit dhe të vlerave që ajo duhej të përfaqësonte si politikane me përvojë.”
Meta insiston se dosja ndaj tij është e stisur dhe ka kërkuar nga Apeli i GJKKO-së që të ndryshojë masën e sigurisë duke e liruar nga qelia. Ende nuk është bërë e ditur data kur Apeli do të shqyrtojë kërkesën e tij./K.C/dritare.net

















