
Ministri Blendi Gonxhja pret homologun izraelit Eli Cohen: Bashkëpunim për inovacionin, agritech-un dhe ekonominë digjitale
Dritare.net
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka pritur në një takim zyrtar Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës të Izraelit, Eli Cohen, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku të dy ministrat diskutuan mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha strategjike me interes të ndërsjellë.
Në qendër të bisedimeve ishin nismat konkrete për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet izraelite në Shqipëri. Ministri Gonxhe vuri theksin te nevoja për zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm që mbështet sipërmarrjen, inovacionin, teknologjinë dhe digjitalizimin.
Postimi i plotë nga ministri Blendi Gonxhja:
“Kënaqësi të mirëprisja Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës në qeverinë e Izraelit, Eli Cohen, me të cilin shkëmbyem mendime për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në disa sektorë me interes të ndërsjelltë.
Diskutuam mbi iniciativa konkrete, ku një theks i veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së inovacionit mes dy vendeve, me synimin për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investimet izraelite në Shqipëri. U theksua rëndësia e zhvillimit të një ekosistemi të qëndrueshëm ekonomik që mbështet sipërmarrjen, teknologjinë dhe digjitalizimin.
Vëmendja u përqendrua sidomos në promovimin e partneriteteve në fushat e kërkimit dhe zhvillimit (R&D), ku përvoja izraelite përbën një aset të çmuar për avancimin e kapaciteteve vendase dhe gjenerimin e zgjidhjeve të reja inovative me impakt konkret në ekonomi.
Diskutuam gjithashtu mbi mundësitë për të zhvilluar projekte inovatore në sektorin e agritech dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, fusha me potencial të lartë për ndikim afatgjatë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë mjedisor, ku teknologjia luan një rol kyç.
Në takim u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit edhe në fushën e edukimit dhe inovacionit shkencor, përmes shkëmbimeve akademike dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe qendrave të ekselencës kërkimore të të dy vendeve.”, shkruan Gonxhja./K.C/dritare.net

















