Historia frymëzuese e Valentina Ndout, pedagoges shkodrane në Itali

Nga Lorena Fjolla

Shqiptarë të mrekullueshëm nëpër botë ka plot. Një prej tyre është edhe Valentina Dardha Ndou. Dritare.net do t’ju njohë sot me historinë frymëzuese të kësaj zonje nga Shkodra, që karrierën e nisi në qytetin e lindjes, por majat e suksesit i arriti në Itali.

Valentina u diplomua për administrim biznesi në Universitetin e Shkodrës në vitin 1997. Vetëm një vit më vonë, asaj iu dha mundësia të punonte si asistent pedagoge, po në këtë universitet.

Ky ishte vetëm fillimi i një rruge të gjatë në fushën e akademisë. Pas dy vjetësh punë, Valentina fiton të drejtën e studimeve master, për biznes digjital, në Universitetin e Salentos në Itali. E vendosur për t’i  ngjitur shkallët e suksesit sa shpejt po aq të sigurt, hapi i radhës ishin sërish studimet, këtë herë, në gradën e doktoraturës.

3-vjet studime  në fushën e teknologjisë dhe biznesit, që shkruan fatin e saj. E angazhuar me pasion të madh, Valentina ishte ndër ata shqiptare që nuk kaloi pa u vënë re as nga pedagogët e Universitetit të Salentos. Deri në vitin 2005 ajo ishte me mendimin se do të kthehej te Shkodra e saj, por mundësitë që të vijnë mbase vetëm një herë në jetë, nuk është e thjeshtë t’i lesh të shkojnë.

Universiteti i Salentos i ofroi asaj bashkëpunimin për projekte të ndryshme, të lidhura me aplikimin e teknologjisë.

Ishte pikërisht ky moment që shënoi hedhjen e themeleve të jetës sime në Itali”, shprehet Valentina për Dritare.net.

Valentina ka marrë pjesë në dhjetëra konkurse. Këtu më shumë se kurrë, ka dëshmuar për kokëfortësinë e një shkodraneje, që nuk e lëshon kollaj vendin e parë. Triumfe në çdo garë. Në 2006 ajo u bë pjesë e brendshme e universitetit, në fakultetin e inxhinierisë ekonomike.

Vit pas viti ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Veçanërisht Valentina ka qenë një mbështetje e madhe për të rinjtë dhe projekti i saj me ta, e ngjiti atë edhe një shkallë më lart. Valentina, tërhoqi sërish vëmendjen, këtë herë me anë të udhëheqjes dhe bashkëpunimit me një grup studentësh të universitetit që kanë ideuar aplikacionin që nxit të rinjtë që të reduktojnë kohë e çuar dëm në ‘smart phone’.

Në shtator të këtij viti, ajo u emërua si këshilltare dhe përgjegjëse për çështjet sociale, arsimin dhe inovacionin në Komunën e Monteroni di Lecce.

Valentina është ndër ato gra që i ka balancuar mirë jetën profesionale me atë familjare. Më shumë se në çdo rast, ky është momenti ku vlen më së shumti shprehja e famshme “Me qen shkodran, tana i ban”.  Sot ajo është nënë e dy fëmijëve, të cilët ndonëse kanë lindur në Itali, dinë ta flasin mjaft mirë shqipen.

Shpesh, Valentina shprehet se e merr malli për Shqipërinë. Ndaj ndonëse në Itali, ajo vazhdon të japë një kontribut të çmuar nëpërmjet bashkëpunimeve me universitetet shqiptare.

Intervista

Dritare.net-Udhëtimin tuaj e keni nisur në Shkodër. Kur vendosët të shpërnguleshit në Itali?

Pasi mbarova studimet në Universitetin e  Shkodrës, për Administrim Biznesi në vitin 1997, nisa punën si asistent pedagoge po në këtë universitet në shkurt të 1998.

Kam punuar aty  për dy vjet. Më pas aplikova për një master post-universitar në Itali. Pasi ishte kusht për stafin e universitetit që të rriste kualifikimin me anë të masterave dhe doktoraturave. Aplikova dhe fitova masterin për biznes digjital në Universitetin e Salentos në Itali. Më pas u ktheva në Shqipëri, për të vijuar punën si pedagoge. Pas një viti aplikova për doktoraturë, dhe për tre vjet ndoqa studimet sërish në Itali. Këtu nis rrugëtimi im në këtë shtet. Motivi i shpërnguljes nga Shqipëria ishin studimet dhe formimi profesional.

Dritare.net-Ku u fokusuan studimet tuaja në Itali?

Studimet u fokusuan në dy drejtime kryesore:

Ndikimi i teknologjive të reja në zhvillimin ekonomik territorial (me një fokus në vendet në zhvillim si Shqipëria e Ballkani). Dhe në rolin e teknologjive në krijimin e modeleve të reja të biznesit për firmat që operojnë në fushën e turizmit. Në vitin 2005 një nga artikujt e mi të botuar në lidhje me këtë teme u vlerësua me çmimin e parë si artikulli më i mirë i prezantuar në konferencën ndërkombëtare për ‘information technology and torusim’ në Zvicër.

Ditare.net-Si u emëruat pedagoge në Universitetin e Salentos?

Pas studimeve të doktoraturës universiteti më ofroi mundësinë që të vazhdoja bashkëpunimin me to në projekte të ndryshme lidhur me ‘ICT for development, turizmi smart, sipërmarrje teknologjike dhe inovacion’.

Deri në atë moment mendimi im ka qenë të kthehesha në Shqipëri, por pikërisht këto mundësi shënuan fillimin e hedhjes së themeleve të jetës sime në  Itali.

Në 2006 mora pjesë në konkursin nacional për ‘Ricercator’ – kërkues shkencor në Itali dhe nga ai moment jam pjesë e brendshme e Universitetit të Salentos, në Fakultetin e Inxhinierisë Ekonomike.

LEXO DHE :  Pse nuk e fitoi simpatinë e njerëzve Astiri dhe gruaja që sot na e bëri më të lehtë arrogancën tonë

Jam pedagoge e kurseve që kanë të bëjnë me menaxhimin e projekteve, biznes plan, sipërmarrje teknologjike dhe ‘smart tourism’.

Dritare.net-A jeni paragjykuar për origjinën tuaj shqiptare? Ka qenë kjo një pengesë në rrugëtimin tuaj? 

Duke qenë se unë kam pasur të bëj me staf universitar dhe me kolegë  që vinin nga vende të ndryshme të botës në ambientet e punës, nuk kam qenë ndonjëherë objekt i diskriminimit apo paragjykimeve. Si vendi jot s’ka. Ndërsa në ambientet e jashtme ndihen paksa paragjykimet, apo kur dëgjon lajme të ndryshme  në media. Por gjithsesi duhet të them se kam qenë me fat.

Dritare.net- Tashmë, ju jeni pjesë e komunës së Monteroni di Lecce. Si ja doli një shqiptare të emërohej në një post kaq të rëndësishëm?

U emërova në postin e ri  si këshilltare dhe përgjegjëse për çështjet sociale, arsimin dhe inovacionin në komunën e Monteroni di Lecce,  direkt nga kryetarja e bashkisë së kësaj komune.  Një nga arsyet e emërimit tim në këtë post ishte edhe puna që unë kam realizuar këtë vit me bashkinë, në kuadër të aktiviteteve dhe iniciativave universitare.

Kohët e fundit kam qenë e impenjuar në projektet e inovacionit dhe sipërmarrjes së të rinjve. Ndër të tjera, kam qenë mentore e iniciativës së një grupi studentësh që kanë realizuar një aplikacion që ka si synim të reduktojë kohën  e shpenzuar dëm në telefona.

Me ketë grup studentësh kam realizuar një fushatë për mbledhjen e fondeve. Në vetëm 40 ditë u arrit që të mblidhej shuma financiare e nevojshme për të filluar këtë projekt.

Projekti u mirëprit shumë mirë nga publiku dhe mediet i dedikuan shumë hapësira këtij projekti. Ky projekt dhe u vlerësua me çmime në evente të ndryshme për sipërmarrjen teknologjike.

Këtë projekt e prezantova dhe promovova edhe në Komunën e Monteronit, që besoj ka qenë edhe një faktor që ka ndikuar në emërimin tim.  Po ashtu me bashkinë kam bashkëpunuar në disa projekte me karakter social dhe ekonomik. Besoj se kanë qenë të gjithë këto faktorë bashkë që kanë ndikuar në emërimin tim në këtë post.

Tashmë në punën time po jap kontributin tim për të realizuar projekte të reja për shërbimet online, që lehtësojnë qytetarët.

Po bashkëpunoj me shoqata të ndryshme për realizimin e projekteve sociale që kanë si qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfshirjen sociale, projekte kundër paragjykimeve dhe diskriminimit shoqëror.

Dritare.net-Si ju kanë pritur banorët aty?

Banorët do t’i klasifikoj në dy grupe:

Ata që më njohin dhe miqtë e tyre dhe ato që nuk më njohin dhe  opozitarët e kryetares së bashkisë.

Ata që më njohin e pritën shumë mirë, më përgëzuan dhe presin shumë nga unë, kështuqë kam  një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim.

Ndërsa grupi tjetër për t’ju kundërvënë kryetares së bashkisë u munduan të kritikojnë emërimin tim, për faktin se kam origjinë shqiptare, duke qenë se ka të tjerë italianë që mund të ishin në vendin tim.

Por mua kjo gjë nuk më ka ofenduar aspak. Nuk jam ndjerë e paragjykuar. Mendoj se kritikat e tyre na japin një forcë më të madhe ne shqiptarëve në botë. Ne mund të përfaqësojmë dhe drejtojmë komunitetet ku jetojmë, në sajë të përvojave që kemi.  Kush punon, fiton, herët apo vonë.

Dritare.net-A ju merr malli për Shqipërinë? Ktheheni shpesh?

Në Shqipëri vij shpesh, patjetër më merr malli shumë për vendin tim. Vij së bashku me familjen jo vetëm për pushime. Fëmijët, ndonëse kanë lindur në Itali, dinë ta flasin shumë mirë shqipen, pasi unë dhe bashkëshorti e kemi me shumë merak ta ruajmë gjuhën tonë.  Po kështu, kthehem shpesh në Shqipëri, për shkak të projekteve dhe  bashkëpunimeve me universitetet.

Shqipëria është pjese e imja, ka qenë dhe  do të jetë gjithmonë pjesë e punës dhe jetës sime. Në aktivitetet e mia në universitet jam munduar gjithmonë të realizoj projekte që kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. Kam marrë pjesë dhe kam prezantuar projekte të ndryshme, duke synuar kështu të krijoj një urë lidhëse mes institucioneve të dy vendeve. Kam bërë shpesh projekte ndërkufitare Itali-Shqipëri, dhe aktualisht jam menaxhere e një projekti ‘Interreg Itali-Shqipëri-Mal i Zi’ me partner Ministrinë e Ekonomisë.

Po ashtu kam vazhduar bashkëpunimin me Universitetin e Shkodrës, ku disa nga shokët e mi te universitetit tashmë janë pjesë e stafit të këtij universiteti. Jemi munduar gjithmonë të bashkëpunojmë nëpërmjet nënshkrimit te marrëveshjeve të ndërsjella  apo organizmit të eventeve apo konferencave të përbashkëta./dritare.net

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.