
Nis gjyqi për aferën Partizani, Malltezi sulmon drejtësinë: SKAP veproi me urdhër të Edi Ramës
Dritare.net
Të hënën në mëngjes, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, u paraqit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në orën 09:30 për shqyrtimin e kërkesës për revokimin e masës së sigurisë ndaj tij, pak përpara se të niste seanca e parë në procesin gjyqësor për çështjen “Partizani”.
Në një deklaratë për mediat, Malltezi sulmoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe e akuzoi për veprim politik me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Ai e quajti procesin një “çështje pa fakt penal”, e nisur nga një kallëzim i rremë i Taulant Ballës dhe e ndjekur me veprime të njëanshme nga prokurorët, menjëherë pas urdhrave të dhëna në Kongresin e PS në prill 2022.
Malltezi mbrojti projektin e zhvillimit të pronës duke theksuar se:
Janë paguar taksa për zhvillimin, ndryshe nga rastet ku sipas tij Rama “jep toka pa taksa për miqtë e vet”.
Janë sistemuar 42 familje, ndërtuar kopsht, çerdhe dhe lënë hapësirë për shkollë e gjimnaz.
Ai përfundoi duke thënë se do të përballet me drejtësinë, por e konsideron të gjithë procesin si të motivuar politikisht./L.F-dritare.net

















