Na ndiqni edhe në

Modë

Prada në telashe: Sandalet indiane që u shitën si luksoze

Prada në telashe: Sandalet indiane që u shitën si luksoze

Shtëpia italiane e modës luksoze Prada ka pranuar se linja e saj më e re e sandaleve është frymëzuar nga këpucët tradicionale indiane Kolhapuri, pas kritikave të forta në Indi për mungesë njohjeje të origjinës dhe përvetësim kulturor.

Sandalet, të prezantuara javën e kaluar në Javën e Modës në Milano, kishin një dizajn me majë të hapur dhe me rripa të thurura, shumë të ngjashme me sandalet Kolhapuri që prodhohen prej shekujsh në shtetet indiane Maharashtra dhe Karnataka.

Fillimisht, Prada i përshkroi këto sandale thjesht si “këpucë prej lëkure” pa përmendur origjinën e tyre indiane, gjë që nxiti zemërim dhe akuza për përvetësim të traditës kulturore nga komunitetet e artizanëve në Indi.

Në një deklaratë për BBC, një zëdhënës i Prada tha se kompania "e njeh dhe e respekton frymëzimin nga këpucët tradicionale indiane", duke shtuar se “Prada gjithmonë ka festuar mjeshtërinë, trashëgiminë dhe traditat e dizajnit”.

Gjithashtu, kompania bëri të ditur se është në kontakt me Dhomen e Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë së Maharashtra-s, pas një letre që drejtuesi i saj i kishte dërguar Prada-s, duke kërkuar që artizanët vendas të kreditohen për punën dhe trashëgiminë e tyre shekullore.

Sipas agjencisë Reuters, Lorenzo Bertelli – drejtues i përgjegjësisë sociale korporative te Prada – është shprehur se sandalet janë ende në fazë të hershme dizajni dhe se kompania është e hapur për një dialog të mirëfilltë me artizanët indianë, duke planifikuar takime të tjera për bashkëpunime të mundshme.

Kolhapuri – Një trashëgimi me shekuj

Sandalet Kolhapuri, të cilat marrin emrin nga qyteti Kolhapur, kanë origjinën që në shekullin e 12-të. Ato janë të punuara me dorë nga lëkura dhe shpeshherë ngjyrosen me bojë natyrale, duke i bërë të përshtatshme për klimën e nxehtë të Indisë. Në vitin 2019, ato morën statusin “Indikacion Gjeografik” (GI) nga qeveria indiane – një etiketë që i jep autenticitet një produkti që buron nga një vend specifik.

Pas prezantimit të sandaleve nga Prada, shumë artizanë të Kolhapurit shprehën zhgënjimin e tyre. “Këto sandale janë rezultat i punës së palodhur të mjeshtërve tanë. Duhet të njihen si Kolhapuri. Mos përfitoni nga djersa e të tjerëve,” u shpreh Prabha Satpute për BBC Marathi.

Çmimet e sandaleve Kolhapuri në Indi variojnë nga disa qindra rupi, ndërsa sandalet e Prada zakonisht shiten nga 600 deri në 1,000 paund në Mbretërinë e Bashkuar, gjë që nxiti reagime të tjera për pabarazi dhe përfitim të padrejtë.

Harsh Goenka, një industrialist i njohur indian, theksoi: “Artizanët tanë mezi fitojnë, ndërsa markat globale përfitojnë nga kultura jonë.”

Jo rasti i parë i përvetësimit kulturor

Prada në telashe: Sandalet indiane që u shitën si luksoze

Ky nuk është rasti i parë kur markat ndërkombëtare janë përballur me akuza për përvetësim të kulturës indiane. Në Festivalin e Filmit në Cannes 2025, Gucci u kritikua pasi e quajti një sari të veshur nga aktorja Alia Bhatt si “fustan”. Po ashtu, një trend në TikTok në maj të këtij viti u kritikua për përshkrimin e shamisë tradicionale dupatta si “shall skandinav”.

Megjithatë, disa banorë të Kolhapurit shprehën krenari që dizajni i tyre tradicional po fiton vëmendje globale. “Artizanët janë të lumtur që puna e tyre po njihet,” tha biznesmeni Dileep More për Reuters.

Ky rast thekson rëndësinë e njohjes dhe respektimit të trashëgimisë kulturore, si dhe nevojën për bashkëpunim të drejtë mes markave globale dhe komuniteteve artizanale vendase./L.F-dritare.net