
Stop, stop. Incident i frikshëm në koncertin e Beyonce
Dritare.net
Një incident i frikshëm ndodhi gjatë koncertit të Beyoncé në qytetin e saj të lindjes, Houston, kur një prej elementëve spektakolarë të skenës – një Cadillac i kuq i varur në kabllo – filloi të anohej në mënyrë të rrezikshme ndërsa këngëtarja ndodhej mbi të.
Makina është pjesë e finales së spektaklit madhështor të turit "Cowboy Carter", ku 43-vjeçarja ngrihet lart mbi turmën e fansave. Gjatë interpretimit të baladës “16 Carriages”, Cadillac-u nisi të përkulej në njërën anë.
"Stop! Stop, stop, stop!", u dëgjua të thotë këngëtarja, duke ndërprerë menjëherë këngën dhe duke sinjalizuar personelin për ndihmë. Publiku reagoi fillimisht me frikë, por më pas me duartrokitje kur ajo u ul ngadalë në tokë, duke buzëqeshur e përshëndetur fansat.
"Nëse ndonjëherë bie, e di që ju do më kapni", u shpreh më vonë Beyoncé, duke fituar edhe një herë zemrat e publikut me qetësinë dhe profesionalizmin e saj.
Fansat shpërndanë momentin në rrjetet sociale, duke përdorur frazën e famshme të Beyoncé-s nga viti 2010, “Somebody’s getting fired” (Dikush do pushohet nga puna), të cilën ajo e përdori më herët gjatë një problemi me ndriçimin në një tjetër koncert.
Në një deklaratë për shtyp, kompania e saj Parkwood Entertainment tha se incidenti ishte rezultat i një “defekti teknik”.
“Ajo u ul menjëherë në mënyrë të sigurt dhe askush nuk u lëndua. Shfaqja vazhdoi pa ndonjë problem tjetër,” – thuhet në deklaratë.
Koncerti në Houston ishte i 23-ti nga gjithsej 32 që përbëjnë turin Cowboy Carter, i cili përmbyllet muajin tjetër në Las Vegas. Shfaqja, që zgjat tre orë, është vlerësuar për energjinë, performancën artistike dhe skenografinë unike me motive country – plot me çizme, kapela dhe këmisha me pupla.
Turin e kanë pasuruar edhe paraqitjet e vajzave të Beyoncé dhe Jay-Z: Blue Ivy, 13 vjeçe, dhe Rumi, 8 vjeçe. Deri tani, ai ka thyer rekorde të shitjes së biletave në stadiume si Tottenham Hotspur në Londër dhe Stade de France në Paris – ku, për ironi, rekordin e mëparshëm e mbante vetë Beyoncé.
Pavarësisht incidentit, mbretëresha e muzikës pop dhe R&B tregoi edhe një herë pse mbetet një nga artistet më të admiruar në botë – me një përkushtim të palëkundur ndaj artit dhe fansave të saj./L.F-dritare.net

















