Na ndiqni edhe në

Opinione

Midis admirimit dhe zemërimit: Faik Konica dhe shpërthimi kundër Ismail Qemalit

Midis admirimit dhe zemërimit: Faik Konica dhe shpërthimi kundër

Nga Evarist Beqiri

"Plaku i shkretë mund t'ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku."-Aubrey Herbert

Para pak ditësh rilexova një shkrim të Faik Konicës për Ismail Qemal Vlorën, që qarkullon prej vitesh në mediat shqiptare. Shkrimi i dedikohet njeriut që mbajti Shqipërinë gjallë kur gjithçka tjetër po shembej. Kur flasim për simbole të identitetit tonë kombëtar duhet që të jemi tepër të kujdesshëm. Të gjithë ata që, qysh prej vitit 1912, e nënvlerësojnë veprën e Ismail Qemal Vlorës, si një përpjekje të rëndomtë që mund ta kishte realizuar kushdo tjetër, bëjnë një gabim trashanik dhe të ulët. Ata ngatërrojnë me apo pa dashje pikënisjen me qëllimin.

Faik Konica, një nga prozatorët më të shquar shqiptar, në revistën“Albania”, shkruan me admirim të thellë për Ismail Qemal Vlorën, në maj dhe shtator të vitit 1900, pas arratisjes së tij të bujshme nga Turqia.“Ismail Qemal beg Vlora, ‘KY I NDRITSHMI’ shqiptar ka të madhe famën, por ca më tepër e ka vlerën, dhe pikërisht për këtë shqiptarët mburren që kanë tek ai një përfaqësues të shquar dhe të madh të racës së tyre,” – shkruan Konica.

Ismail Qemali kishte një dëshirë të hershme për të pasur një organ shtypi për të mbrojtur kauzën shqiptare. Për këtë qëllim, ai i shkroi Faik Konicës, i cili botonte prej 1896, gazetën “Albania” në Bruksel, për të parë mundësinë e bashkëpunimit. Ismail Qemali e pëlqeu shumë Brukselin dhe vendosi që të jetonte aty. Ismail Qemali mori drejtimin e gazetës “Albania”. Por, marrëdhëniet me Faik Konicën zgjatën pak. Prandaj, Ismail Qemali hapi një gazetë tjetër “Shpëtimi i Shqipërisë”.

Pa kaluar një vit, Faik Konica, do të kalonte nga lavdërimi deri në adhurim, te sulmi deri në banalitet. Ai sulmon Ismail Qemalin me fjalët "tradhëtor, grabitës e zuzar", me një shkrim të egër te “Albania”, qershor 1901. Se çfarë tradhëtoi Ismail Qemali në 1901, këtë vetëm Konica e dinte?! Sulmi ishte pasojë e pakënaqësive financiare që ai pati kundrejt Ismail Qemalit, kur ky i fundit drejtoi gazetën “Albania”. Për këtë mjafton të lexosh shkrimet e Shahin Kolonjës dhe të vetë Faik Konicës, në një polemikë që ata patën me njeri-tjetrin në vitin 1902 (të dy bashkëpunuan te gazeta “Albania”, me Ismail Qemalin). Shahin Kolonja shkruan: “Si ju pre ulefeja (paraja) e vogël që i jepte Smail beu, zuri ta shaj”.

Ndërkohë, vetë Konica e pohon me dorën e tij fisnikërinë e shpirtit të Ismail Qemal Vlorës, kur i shkruan Shahin Kolonjës, lidhur me takimin që ai bëri me nipin e Maliq pashë Tepelenit, më 17 nëntor 1900: “...Po unë vaita atë çast te ay, e mësova se Smail beu i kish hequr tejshkrim nga Londoni t'i lutet, si print që është me bejn’ e Vlorës e ca pakë me mua, të më pyesë ç'pata q'u zëmërova. I thashë nuke jam zihur me Smail benë, kam 20 letra të tij qi e provojnë, kam më në funt edhe fialën e tija, se jam sigur që Smail beu, sa do që unë shkrova kundrë tij, është gentleman i vërtetë e do të thotë gjithënjë të vërtetën: që kurrë nuk i prishmë për të holla.” Ndërkohë po vetë Konica bën këtë shënim po aty, ku hedh poshtë atë që shkruan po vetë më sipër: “Ësht e tepër të shtoj se, sikur t'i kisha kërkuar të holla Smail beut, do të kisha kërkuar të drejtën, e jo një dorovë. Ky zotëri erdhi e m'u-lut të shtyp për 'të një të dytë herë ALBANIëN e vogël në shtypshkrimin tim. Kio her' e dytë shtypej mi 6 rema (rames) karte, nga ajo qi thohet simili- Japon, ç'do remë 14 frëngash: Pra, ç'do herë gazeta e Smail beut më kushtonte mua 84 frënga vetëm për kartë, përveç shtypit qi më kushtonte shumë. Llagëm-Çaushit a i duken një ulefe këto?” (“Albania”, qershor 1902).

Në 1904, Konica, në një tjetër shkrim te “Albania” me titull “Ana Kombëtare Jonë dhe Turqët e Rinj”, shkruan: “Të Tierët, thotë Osmanlliu (e para gazetë e Turqve të rinj), të tierët Shqipëtarë punojnë sheshit kundër Turqiës. Dhe efendiu shan ‘Smail-Qemal be’ Vlorën edhe mua më tepër. E kam për nder që të më shajnë zgjebo të tillë...”

Fan Noli rrëfen jo pa humor, se Konica jetonte në Bruksel me paratë që i jepte xhaxhai: “Ai i shkreti s’kishte djema, kishte vetëm çupa. Kishte tri çupa, djalë s’kishte. Dhe kishte Faikun si djalë. Faiku, ndjesë pastë, harxhonte më tepër seç kishte dhe çdo muaj i dërgonte bill-in (faturën) xhaxhait. Xhaxhai menjëherë çekun. Edhe kështu dilte gazeta atje. Pastaj arritën turqit dhe e vranë xhaxhanë, edhe u mbarua pun’e Faikut. Mori fund. Edhe ardhi këtu në Amerikën që të rrojë me ne.”

Sulmi i Konicës ndaj Ismail Qemalit nuk është as analizë historike dhe as kritikë parimore, por një shpërthim emocional i një njeriu që i janë errësuar sytë nga mllefi dhe inati. Këto sulme, të cituara gjerësisht por rrallëherë të vendosura në kontekstin e duhur historik, pasqyrojnë më shumë tensionet politike dhe zhgënjimet personale të kohës, sesa të vërtetën e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Ky sulm nuk ishte analizë, por zemërim. Ironikisht, më herët, në gazetën “Albania’’, vetë Konica e kishte quajtur Ismail Qemalin “I NDRITSHMI” dhe “krenaria e shqiptarëve”. Ai e njihte rolin e tij në reformimin e administratës osmane, në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe në organizimin e çështjes kombëtare.

Ky kthim i beftë në qëndrim nga ana e Konicës ldhet më shumë me pakënaqësinë e tij personale, fillimisht për çështjet e financimit të gazetës “Albania”, dhe më pas me mungesën e protagonizmit vetjak pas vitit 1912, sesa me një rivlerësim objektiv të trashëgimisë së Ismail Qemalit. Sulmet e mbrapshta të Konicës, sidomos ndaj dy simboleve të Pavarësisë, Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, si edhe bashkëpunimi i tij me Esat Toptanin, flasin shumë për karakterin dhe integritetin e tij personal.

Një njollë e zezë në jetën politike të Faik Konicës mbetet mbështetja që ai i dha Pleqësisë së Shqipniës Mesme. Ai drejtoi në vitin 1913, edhe organin e shtypit “Ushtimi i Krojës”, së “Pleqësisë Antishqiptare të Esat Toptanit”. Ishte pikërisht kjo paburrëri, kjo luftë e ndyrë për pushtet mbi një foshnje që lindi e sëmurë, që bënin Esat Toptani dhe pasvajtësit e tij si Faik Konica, Syrja dhe Eqrem Vlora, Hasan Prishtina, Myfid Libohova etj., që e “fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës”, jo shenjtëria e Ismail Qemal Vlorës dhe Luigj Gurakuqit, Aqif Elbasanit e Isa Boletinit, dhe shumë patriotëve të tjerë që e valvitën flamurin e Skënderbeut, atëherë kur nuk kujtohej kurrkush.

Në një relacion konsulli austro-hungarez në Durrës, më 26 korrik 1913, tregon tensionet e rënda politike mes elitës shqiptare: “Faik bej Konica, Fadil pashë Toptani dhe Dervish Hima kritikojnë ashpër despotizmin e Ismail Qemalit, duke e konsideruar veprim ilegal (unë besoj të drejtë - nënvizimi i konsullit austro-hungarez lidhur me gjykimin e tij për veprimet e Ismail Qemalit) akordimin e koncesioneve dhe sidomos qëllimin e tij për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Me rastin e një gostie te Murat Toptani, Faik Konica më tha se ai dhe Toptanët kanë për të rrëzuar Ismail Qemalin dhe se duan të bindin Esat Pashën për formimin e kabinetit. Ky plan për kabinetin austrofil u mbajt sekret përpara kolegut tim italian. Ky plan më duket i zbatueshëm…”

Konica i parë ishte admiruesi i Ismail Qemalit. Ai bën një vlerësim publik, të sinqertë. Sepse ishte i vetëdijshëm për rolin që Ismail Qemali kishte luajtur në administratën osmane, në mbrojtjen e gjuhës shqipe, në përkrahjen e alfabetit dhe në përpjekjet për autonomi.

Po çfarë ndryshoi? Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë dhe formoi qeverinë e parë. Në këtë proces, Faik Konica nuk luajti asnjë rol. Kjo xhelozi e përzier me dritëshkurtësi ishte arsyeja pse Konica kaloi në një sulm personal ndaj Ismail Qemalit. Pas organizimit të Kongresit të Triestes (27 shkurt-6 mars 1913), Konica u hodh në krahët e Esat Toptanit. Por, le ti analizojmë me kujdes akuzat pathemel ndaj Ismail Qemalit.

Së pari, historia nuk shkruhet me fyerje të çastit, por me vepra të qëndrueshme. Dhe Ismail Qemali, me të gjitha të metat e tij, bëri më shumë për Shqipërinë sesa të gjithë kritikët e tij bashkë. Sepse siç shkruante Aubrey Herbert, "Plaku i shkretë mund t'ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku." Ismail Qemali ishte i vetmi që mund ta shpaloste flamurin e Skënderbeut dhe që kishte besueshmëri brenda e jashtë vendit.

Nuk ekziston asnjë dokument serioz që tregon se Ismail Qemali ka përfituar personalisht nga pushteti. As kur shërbeu në pozita të larta në Perandorinë Osmane, as kur shërbeu si kryeministri i parë i Shqipërisë. Përkundrazi, ka shumë dokumente dhe dëshmi të besueshme që e përshkruajnë atë si një njeri të drejtë e të pakorruptueshëm.

Ismail Qemali shpesh e financoi vetë veprimtarinë politike dhe jetoi në kushte modeste në vitet e fundit. Ai sakrifikoi pasurinë personale, pushtetin në Perandorinë Osmane dhe jetoi shpesh në varfëri në shërbim të çështjes shqiptare. Ismail Qemali nuk përfitoi nga flamuri, siç kanë bërë shumë të tjerë pas tij. Ai si askush tjetër, e mbajti atë lart në mes të stuhisë.

Nga letrat e tij, ku ju bënte thirrje shqiptarëve për të shpëtuar kombin nga katastrofa, e deri tek përpjekjet për të themeluar shkolla shqipe në vitet ’870, Ismail Qemali dëshmon një përkushtim emocional dhe racional të pashoq. Në fakt, kontributi i tij është i matshëm: që te diskutimet për alfabetin shqip në Stamboll në vitet në vitet ’860, e deri tek krijimi i qeverisë së parë dhe përballja me presionin diplomatik të Fuqive të Mëdha.

Qoftë për Janinën, qoftë për çështjen e kufirit me Greqinë, faktet historike dhe dokumentet arkivore flasin krejt të kundërtën. Nuk ka pasur ndonjëherë oficer holandez, as turk, as grek, as serb dhe as shqiptar, që ti ketë hedhur hekurat në dorë Ismail Qemalit duke e dëbuar, siç gënjen Konica. Ismail Qemali u rikthye në Vlorë dhe në Durrës në maj 1914. Ai luftoi me nder për Shqipërinë, deri ditën që mbylli sytë.

Sot të vjen shumë keq kur shikon se si një personazh që ka lenë gjurmë të mëdha në kulturën tonë, e ka përdorur penën pa kurrfarë skrupulli. Por, mëkatarë është edhe kush i paraqet letrat pa kontekstualitet, kinse si zbulime të mëdha historike. Trashëgiminë madhështore nuk e fshin dot një shkrim inatçor. Ismail Qemali nuk ishte i pagabueshëm, por ai ishte burri i vetëm që kishte aftësinë dhe autoritetin të valviste flamurin e Skënderbeut. Dhe dihet se, "flamuri po u valvit, nuk bie më kurrë".

Konica e mbyll shkrimin me një kontradiktë: “Po me gjith’ këto turpe, dora e Ismail Qemalit do t’kujtohet për jetë në histori, se ngrijti e para flamurin e unjur katër shekuj më parë. Me këtë veprë Vlora u bë më tepër se një qytet historik: u bën simboll i pavdekur dhe një copë e pandarë e shpirti shqiptar.” Patrioti i shquar Namik Delvina shkruan: “Ismail Qemali për shqiptarët është një lëndë kimike e shkrirë ndër ta. Mund të thonë mbase shumë njerëz se: “Ç’bëri Ismail Qemali? Çdo njeri mund ta kishte bërë, por edhe Kristofor Kolombi që vendosi të qëndroj një ve mbi tryezë tue e thyer atë, gjithë kundërshtarët e tij i thanë se këtë gjë mund ta bëjmë edhe neve…Atëhere pra, besojmë se popullit shqiptarë i aprovohet kryesisht respekti kundrejt rilindasit të vet, që i ka falur një nyje të flamurit, ku prehet gjithë shpirti kombëtar.” Ismail Qemal Vlora dhe Vlora do të mbeten përjetësisht thelp në shpirtin e shqiptarit. Çdo 28 nëntor, zemra e gjithë shqiptarisë anembanë globit, rreh fort në Vlorën e Flamurit, sipas vargjeve të Lasgushit të madh:

“...kush i lum e kush i gjorë

Kanë zbritur mun në Vlorë,

Mun në Vlorën e lirisë,

N'atë thelb të Shqipërisë...”

Shkrimet e Konicës apo kujtdo tjetër, plotë mllef dhe urrejtje, nuk duhen përdorur si “provë” për të cenuar figurën e Ismail Qemalit, por duhen parë si një mësim për rrezikun e përzierjes së krenarisë personale dhe dashaligësisë me fatin e kombit. Shqipëria e ka sot më shumë se kurrë të nevojshme për të kuptuar dallimin midis kritikës së sinqertë dhe sulmit të hidhur, që dëmton interesin kombëtar./dritare.net