
Ish-gruaja e Jeff Bezos dhuron 19 miliardë dollarë. Ja revolucioni i saj!
Dritare.net
Ndërsa sytë e botës janë të drejtuar nga martesa e Jeff Bezos në Venecia, me Lauren Sánchez, ne duam të flasim për një grua tjetër që meriton po aq vëmendje: MacKenzie Scott.
Ajo është ish-bashkëshortja e parë e Bezos, një grua me një histori të jashtëzakonshme. Diplomuar në Princeton në vitin 1992, ajo ka studiuar me nobelisten Toni Morrison. Që para martesës me themeluesin e Amazon, MacKenzie ishte një grua me vizion, projekte të mëdha dhe një shpirt të fuqishëm krijues. Nga kjo martesë, e cila zgjati nga viti 1993 deri në 2019, lindën katër fëmijë.
Sot, ajo është një nga gratë më të pasura në botë. Por në vitin 2019, ajo bëri diçka të pazakontë: nënshkroi Giving Pledge, një nismë që nënkupton premtimin për të dhuruar më shumë se gjysmën e pasurisë së saj gjatë jetës ose me testament.
Dhe MacKenzie po e mban këtë premtim.
Deri më tani, ajo ka dhuruar 19.3 miliardë dollarë për më shumë se 2,450 organizata jofitimprurëse, të cilat merren me sfidat më urgjente të shoqërisë:
– barazia racore,
– të drejtat e komunitetit LGBT,
– projekte për gratë,
– drejtësi ekonomike,
– shëndetësi publike,
– mobilitet social dhe
– ndryshimet klimatike.
MacKenzie po përpiqet të ridistribuojë një pasuri që, siç ka thënë vetë, “është bërë e mundur nga sisteme që kanë nevojë për ndryshim.”
Deri në momentin që sistemet fiskale nuk do t’u kërkojnë miliarderëve të kontribuojnë në mënyrë të drejtë për shoqërinë, bujaria e jashtëzakonshme e MacKenzie Scott meriton gjithë vëmendjen tonë.
Pavarësisht se çfarë mund të mendohet për të, ajo që po bën është vërtet fuqiplotë: po i jep një kuptim të ri pasurisë, fuqisë dhe ndikimit./dritare.net

















