
Berisha dhe Malltezi për herë të parë në gjyq për aferën Partizani
Dritare.net
Sot, më 30 qershor 2025, në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) zhvillohet seanca e parë në themel për dosjen “Partizani”, ku përballen me drejtësinë Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 6 të pandehur të tjerë, përfshirë edhe tre kompani.
Të pandehurit dhe akuzat:
Sali Berisha, ish-kryeministër – i akuzuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në bashkëpunim me dhëndrin e tij.
Jamarbër Malltezi – i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, përfitues i 5.4 milionë eurove nga një projekt ndërtimi përmes ndikimit të Berishës.
Fatmir Bektashi – i akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Xhimi Begeja – bashkëpronar në “Homeplan”, i akuzuar për pastrim parash.
Andia Pustina – financiere dhe juriste e “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash.
6-8. Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k. – akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale.
Situata aktuale:
Berisha është nën masën “detyrim paraqitje”, pasi më herët iu vendos arrest shtëpiak për moszbatim të vendimeve të gjykatës.
Malltezi ndodhet në arrest shtëpiak, dhe sot në orën 09:30 shqyrtohet kërkesa e tij për revokim të masës së sigurisë. Seanca gjyqësore do të zhvillohet nga një treshe gjyqtarësh: Elsa Ulliri (kryesuese), Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka paralajmëron një proces të gjatë.
Dosja kaloi për gjykim më 19 maj 2025, pas 7 muajsh bllokimi dhe pak pas zgjedhjeve të 11 majit./L.F-dritare.net

















